Mjedis

Studimi: Zhurmën në Tiranë e bëjnë automjetet. Veliaj: Jo më lavazhe, servise makinash, disko e gomisteri poshtë pallateve

Në maj të këtij viti, Gazetasi.al ka publikuar një studim nga Co-Plan ku tregohej se në kryeqytet zhurma vazhdon të jetë një fenomen shqetësues. Tirana, e cila ka dhe përqendrimin më të madh të banorëve, ka nivelin më të lartë të zhurmave sipas matjeve të kryera gjatë viteve 2018-2021.

“Disa nga shkaqet kryesore të niveleve mbi normat e lejuara të ndotjes nga zhurma në Tiranë janë shtimi i qarkullimit të automjeteve publike apo private”, shkruhet në raport.

Nga të dhënat e dala është vënë re se niveli i zhurmës arrin nivelet maksimale, 132 Db(decibel, njësia matëse e zhurmës) në zonën ku ndodhet ish “Sheshi Shqiponja”, në kryqëzimin e rrugës “Dritan Hoxha”.

Një vlerë tjetër shumë e lartë e matur është në afërsi të kryqëzimit të rrugës “Teodor Keko” me rrugën “Abedin Rexha”.

Një vlerë tjetër e cila e kalon më shumë se dyfishin e normës së lejuar (vlera maksimale e normës së lejuar gjatë ditës është 55 dB) është matur në stacionin që ndodhej jo shumë larg fakultetit të Inxhinierisë së ndërtimit, në afërsi të zonës “Ish-Fusha e aviacionit”.

Gjatë darkës ka pasur rënie të vogël të vlerave të matura në këto zona, përkatësisht vlerat 90 dB, 81 dB, 77 dB, por gjithsesi kanë qenë të larta në krahasim me normat e lejuara.

Në zonën që ndodhet dhe një sipërfaqe e zonës së Ish-Bllokut, në mëngjes dhe drekë vlerat janë nga 60 deri në 78 por që në raport shkruhet se këto vlera kalojnë më shumë se 83 gjatë darkës, “kjo për shkak të veprimtarive të bareve dhe restoranteve në atë zonë”.

Mirëpo sot (e premte), në një dëgjesë të zhvilluar mes Kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe ministres së mjedisit dhe Turizmit Mirela Kumbaro, Veliaj deklaroi se në kryeqytet nuk do të jepen më leje për bzinese që krijojnë zhurma pranë blloqeve të pallateve, por ato zhvendosen larg zonave të banuara.

Bashkia e Tiranës – tha Veliaj- do të jetë e para që do të disiplinojë dhënien e lejeve të tipit C për subjekte të tilla, por gjithashtu do të menaxhojë edhe zhurmat e trafikut dhe do krijojë një hartë të zonave të gjelbra akustike.

“Ka ardhur koha të nisë edhe pastrimi akustik, përvec atij fizik”.

Plani i ri sipas kryebashkiakut të Tiranës parashikon kompetenca të plota të gjithë punonjësve nën uniformën e Policisë së Shtetit apo bashkiake.“Cilido qytetar që ndihet i kërcënuar nga zhurma e tejskajshme, e gjen shpëtimin te çdo uniformë”, u shpreh Veliaj i cili shton se për denoncimin e zhurmave do të jetë në dispozicion të qytetarëve një numër si dhe do të krijohet një mekanizëm këshillimor i shoqërisë civile në bashki, për përcaktimin në hartë të zonave të qeta, sidomos ato rreth shkollave, universiteteve dhe parqeve, si dhe krijimin e mureve të gjelbëruara të cilat krijojnë edhe mure akustikë.

Bizneset që do të prekne nga ky detyrim janë kryesisht ato të shërbimit social dhe kulturor, si: klube nate, bare, restorante, disko; sektori i transportit rrugor, ajror, ujor dhe hekurudhor; si dhe aktivitetet ekonomike që përdorin pajisje dhe makineri që gjenerojnë zhurma, si sharra, elektromotorë, gjeneratorë, çekiçë pneumatikë, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë