Shkencëtarët thonë se shtëllungat e dendura të tymit të zjarreve të egra që janë parë vitet e fundit po kontribuojnë në ngrohjen e Arktikut.
Studimi i tyre thotë se grimcat e “karbonit kafe” në tym po lëvizin në veri dhe po tërheqin nxehtësinë në rajonin polar.
Autorët besojnë se numri në rritje i zjarreve ndihmon në shpjegimin se pse Arktiku, po ngrohet më shpejt se pjesa tjetër e planetit.
Ata janë të shqetësuar se ky efekt ka gjasa të rritet.
Gjatë dekadës së fundit, tymi nga zjarret e furishme në Australi, Portugali, Siberi dhe SHBA kanë ndryshuar ngjyrën e qiellit në këto vende. Tymi ka ndikuar në shëndetin e njeriut dhe sasia e karbonit të çliruar nga djegia, ka ndihmuar në shtyrjen e emetimeve në nivele rekord.
Por tani shkencëtarët thonë se e gjithë kjo djegie ka kontribuar në një çështje tjetër serioze – humbjen e akullit në detin Arktik.
Studiuesit kanë qenë prej kohësh të njohur me ” karbonin e zi”, grimcat e blozës që emetohen nga motorët me naftë, djegia e qymyrit, sobat e gatimit dhe burime të tjera.
Këto aerosole, të cilat thithin rrezet e diellit dhe e kthejnë atë në nxehtësi, dihet se janë kontribuesi i dytë më i madh në ngrohjen globale.

Ndikimi i këtyre grimcave në Arktik dhe në retë është dokumentuar mirë.
Megjithatë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për karbonin kafe – i cili kryesisht vjen nga djegia e pemëve dhe vegjetacionit, por gjithashtu krijohet, në një shkallë më të vogël, nga lëndët djegëse fosile. Efekti i ngrohjes i kësaj substance më pak të dendur ose është injoruar ose është vlerësuar me pasiguri të madhe në modelet klimatike.
Për të zhvilluar një kuptim më të mirë të ndikimeve, studiuesit udhëtuan rreth oqeanit Arktik.
Ndërsa, disa vlerësime të mëparshme kishin treguar se karboni kafe ishte përgjegjës për vetëm 3% të efektit të ngrohjes në krahasim me karbonin e zi, shkencëtarët zbuluan se ai po bën shumë më shumë dëme në rajon.
“Për habinë tonë, analizat vëzhguese dhe simulimet numerike tregojnë se efekti i ngrohjes i aerosoleve të karbonit kafe mbi Arktik është deri në rreth 30% të atij të karbonit të zi”, thotë autori i vjetër Pingqing Fu, një kimist në Universitetin Tianjin në Kinë.

Studimi zbuloi se zjarret ishin burimi kryesor i këtij materiali kafe – duke kontribuar dy herë më shumë në efektin ngrohës të karbonit kafe në Arktik sesa që vinte nga lëndët djegëse fosile.
Autorët besojnë se ndërsa bloza e zezë ka luajtur rolin kryesor, karboni kafe ka pasur ndikim në ngrohjen e jashtëzakonshme që është ndjerë në rajonin e Arktikut në dekadat e fundit.
Gjatë 50 viteve të fundit, veriu i akullt është ngrohur tre herë më shumë se pjesa tjetër e planetit.
Ajo që ndodh është se akulli dhe bora në sipërfaqen e ujërave të Arktikut normalisht reflektojnë shumicën e dritës së diellit përsëri në hapësirë, por ndërsa akulli shkrihet, ujërat më të errët thithin shumë më tepër nxehtësi, e cila nga ana tjetër shkrin akullin edhe më shpejt.
Por ndërsa zjarret në gjerësinë gjeografike të mesme dhe veriore janë shtuar me ngrohjen e botës, ky studim i ri zbulon se karboni kafe nga ky burim ka një ndikim në rritje të shkrirjes në Arktik.
“Rritja e aerosoleve të karbonit kafe do të çojë në ngrohjen globale ose rajonale, gjë që rrit probabilitetin dhe shpeshtësinë e zjarreve,” thotë Fu, duke shpjeguar mënyrën se si funksionon cikli i reagimit.
Siç ka treguar një studim i fundit i OKB-së, zjarret ka të ngjarë të rriten deri në 50% nga mesi i këtij shekulli, kështu që autorët besojnë se ky trend i karbonit kafe ka të ngjarë të rritet.
Shkencëtarët e përfshirë në studim thonë se puna e tyre tregon se, rëndësia e menaxhimit të zjarreve të vegjetacionit nuk ka të bëjë vetëm me shpëtimin e jetëve dhe kufizimin e dëmeve të shkaktuara nga djegia, ajo gjithashtu ka një rol në kufizimin e ngrohjes së planetit. Studimi është publikuar në revistën “One Earth”.
Burimi: BBC/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



