Përdorimi i telefonave celularë nuk rrit rrezikun e tumoreve të trurit, ka treguar një studim i ri në shkallë të gjerë. Në një studim me më shumë se 776,000 individë, nuk kishte rrezik të lartë të zhvillimit të tumoreve tek ata që kishin përdorur telefona celularë çdo ditë gjatë dy dekadave.
Frika e kahershme rreth ndikimit të telefonave celularë në tru është rikthyer lançimit të teknologjive pa tela 5G. Shumica e studimeve që kanë hetuar këtë lidhje të mundshme kanë qenë në natyrë retrospektive, ku individët raportojnë përdorimin e telefonit celular pas një diagnoze të kancerit , që do të thotë se rezultatet mund të jenë të njëanshme.
Tani, shkencëtarët nga “Oxford Population Health” dhe Agjencia Ndërkombëtare për Kërkime mbi Kancerin, kanë treguar në studimin e tyre në shkallë të gjerë se nuk ka rrezik në rritje të tumoreve të trurit tek përdoruesit e telefonave celularë, krahasuar me ata që nuk e kanë përdorur kurrë një të tillë.
Më herët përdorimi i telefonit u ekzaminua në lidhje me rrezikun e llojeve të ndryshme të tumorit të trurit: glioma (një tumor i sistemit nervor); neuroma akustike (një tumor i nervit që lidh trurin dhe veshin e brendshëm); meningioma (një tumor i membranës që rrethon trurin) dhe tumoret e gjëndrës së hipofizës.
Kirstin Pirie, një bashkë-hetues studimi nga Njësia e Epidemiologjisë së Kancerit në Shëndetin e Popullsisë në Oxford, tha se këto rezultate mbështesin provat e grumbulluara që përdorimi i telefonit celular në kushte të zakonshme nuk rrit rrezikun e tumorit në tru”.
Megjithëse gjetjet janë qetësuese, studiuesit pranuan se mbetet e paqartë. Në studim, vetëm 18 për qind e përdoruesve të telefonit raportuan se flisnin në celular për 30 minuta ose më shumë çdo javë, kështu që sipas ekspertëve nuk dihet saktësisht ndikimi.
Duke komentuar mbi gjetjet, Malcolm Sperrin, drejtor i fizikës mjekësore dhe inxhinierisë klinike në Spitalet Universitare të Oksfordit, tha se ky studim nga Oksfordi është një shtesë e mirëpritur për tërësinë e njohurive që shikon rrezikun nga telefonat celularë. Sipas tij është një studim i projektuar mirë, prospektiv që nuk identifikon asnjë lidhje shkakësore, por pranon se mund të ketë korrelacione të rreme që dalin nga studimet e mëparshme që janë retrospektive në dizajn.
“Ky studim duhet të ndërpresë shumë shqetësime ekzistuese”, shtoi eksperti.
Burimi: The Indendent/ Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje