Treg

Studimi: Stoku aktual i ndërtimeve në Shqipëri përballon kërkesën. S’ka nevojë për ndërtime shtesë

Nga Gazeta ‘SI’ – Një studim i fundit mbi tregun e ndërtimit në Shqipëri, gjeti se vendi nuk ka më nevojë për ndërtime shtesë, me kërkesën aktuale për banesa nga të huajt apo turistët.

Ekspertët e Altax kanë analizuar se kërkesa për banesa nga të huajt apo diaspora përllogaritet deri në 500 mijë persona ose 11 mln m2 hapësirë. Ndërkohë, pothuajse 22 mln m2 janë ndërtime bosh, ndërsa oferta totale është në 72.6 mln m2.

Nga ana tjetër, as turizmi nuk kërkon më shumë ndërtime të reja, por vetëm një zgjerim kapacitetesh.

Stoku aktual i ndërtimit mund të jetë një bazë e dobishme për të mbështetur një fluks të madh vizitorësh, por do të jetë i pamjaftueshëm nëse nuk ka investime dhe zhvillime të shpejta për të krijuar më shumë kapacitete akomoduese dhe infrastrukturore, thekson raporti.

Ekspertët llogarisin duke supozuar se çdo turist qëndron për 5 ditë mesatarisht dhe me më shumë se 1 milionë në muaj, do të kemi rreth 33.300 vizitorë në ditë. Supozohet se një dhomë hoteli mund të akomodojë dy persona, pra nevojiten 16.670 dhoma për ditë. Nëse çdo dhomë ka një sipërfaqe mesatare prej 30 m², atëherë nevojiten 15 km² hapësirë akomoduese për 1 milion turistë në muaj.

Kapaciteti aktual vs. nevoja për zgjerim

Kapaciteti aktual i hoteleve me 50.000 dhoma dhe 110.000 shtretër mund të mbulojë 660.000 vizitorë në muaj (nëse çdo vizitor qëndron mesatarisht 5 ditë). Ky numër është afërsisht 2/3 e kërkesës totale për 1 milion vizitorë në muaj. Apartamentet për qira ditore mund të mikpresin deri 300.000 turistë në mua dhe hotelet 660.000, me diferencë 40.000 vizitorë/muaj.

Për kaq diferencë, studimi thekson se nuk është e nevojshme ndërtimi me shkallë të gjerë, por mund të arrihet me zgjerimin e ofertës së apartamenteve me qira apo hotele të reja.

Fokusimi duhet të jetë në përdorimin strategjik të stokut ekzistues dhe investimin në sektorë më produktivë. Nëse ndërtohet, duhet të jetë i orientuar nga kërkesa reale dhe jo nga spekulimet e tregut. Zgjidhja më e mirë është të ndalet ndërtimi spekulativ dhe të kanalizohen investimet drejt sektorëve që sjellin rritje ekonomike dhe zhvillim të qëndrueshëm.

I njëjti raport analizon edhe ecurinë e çmimeve të tregut imobiliar, sipas periudhave.

Nga vitet 1995-2000 dhe në 2000-2010, kostoja e ndërtimit u rrit me 11.5%. Kjo, u reflektua dhe në rritje të çmimit të shitjes nga ku kapërceu në 100% deri në 200%, ose e thënë ndryshe nga 250-450 USD, në 300-900 euro.

Por, nga vitet 2000-2010 në 2010-2015, kostoja e ndërtimit u rrit me 11.6% dhe se çmimi i shitjes u rrit me 50%-100% ose deri në 1200 euro.

Në peridhën e viteve nga 2010-2015 deri në 2015-2024, kostoja e ndërtimit u rrit me 32.7%, ndërsa çmimi i shitjes u rrit deri në 2000 euro.

Sipas përllogaritjeve të Altax, në të gjithë periudhën nga 1995-2024, kostoja e ndërtimit u rrit me 65.2% dhe se çmimi i shitjes së banesave u rrit me 140% deri në 300%. Krahasimi i përgjithshëm tregon që çmimet e shitjeve të banesave janë rritur më shpejt se kostot e ndërtimit. Ndërkohë, faktorë si inflacioni, politika monetare, dhe investimet e huaja kanë pasur ndikim të madh në këtë tendencë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë