Riinfeksionet e Covid-19 kanë 90 për qind më pak gjasa të rezultojnë në shtrimin në spital ose vdekje sesa infeksioni parësor. Shkencëtarët nga Katari zbuluan se është e rrallë që njerëzit që riinfektohen me virusin të kalojnë në gjendje të rëndë. Nga 353,326 persona që rezultuan pozitivë në Katar midis shkurtit 2020 dhe prillit 2021, u identifikuan gjithsej 1,304 riinfeksione. Analiza përjashtoi 87,547 persona që ishin vaksinuar.
Vetëm katër nga riinfeksionet ishin të rënda dhe çuan në shtrimin në spital, por asnjë nga këto raste nuk ndërroi jetë. Studimi, i botuar në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, arriti në përfundimin se riinfeksionet ishin jo vetëm më të buta se infeksioni fillestar, por shumë më pak të ngjarë të çonin në shtrimin në spital ose vdekjen. Riinfeksioni u përcaktua si tamponi i parë pozitiv i marrë të paktën 90 ditë pasi u diagnostikua fillimisht me Covid-19. Shumica dërrmuese e riinfeksioneve u shkaktuan nga varianti Beta, i cili është më efektiv se mutacionet e tjera në shmangien e përgjigjes imune të trupit.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se koha mesatare midis infeksionit të parë dhe të dytë ishte rreth nëntë muaj. Në bazë të rezultateve të tyre, shkencëtarët treguan që Covid-19 “mund të adoptojë një model më beninj infeksioni kur të bëhet endemik”.
Megjithatë, ata paralajmëruan se “duhet të përcaktohet nëse mbrojtja kundër sëmundjes së rëndë gjatë riinfeksionit zgjat për një periudhë më të gjatë.
David Matthews, një profesor i virologjisë në Universitetin e Bristolit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se gjetjet tregojnë se Covid-19 "përfundimisht do të bëhet si ftohja e zakonshme" pasi më shumë njerëz vaksinohen dhe ekspozohen ndaj virusit, përpara se të rikuperohen.
“Nuk mund të jemi të sigurt, por ajo që ndoshta do të ndodhë është se ky virus do të bëhet një virus i zakonshëm i ftohjes, si koronaviruset njerëzore që tashmë janë të zakonshme. Gjetjet ritheksojnë gjithashtu se presioni mbi ne tani për sa i përket shtrimeve në spital vjen kryesisht nga njerëzit, të cilët për çfarëdo arsye, ende nuk janë vaksinuar,” shtoi Marthews.
Paul Hunter, një profesor në mjekësi në Universitetin e Anglisë Lindore, tha se dokumenti mbështet prova para-ekzistuese që tregojnë se "riinfeksionet janë zakonisht, por gjithmonë më pak të rënda se infeksionet fillestare".
Megjithatë, ai tregoi se ishte e vështirë të përcaktohej plotësisht ashpërsia e riinfeksionit.
Hunter tha gjithashtu se "infeksioni natyror duket se jep imunitet më të qëndrueshëm se vaksina dhe ndoshta një mbrojtje më të mirë të kryqëzuar kundër varianteve të reja, por kjo varet nga sa i rëndë është infeksioni fillestar.
Burimi:The Independent/Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.