Gazeta Si - Përmbytja në Emilia-Romagna është vetëm një nga efektet më të fundit të ciklonit “Boris”, i cili javën e fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në zona të gjera të Evropës Qendrore, nga Rumania në Austri, ku llogaritet të kenë vdekur rreth 20 persona.
Nuk është e pazakontë që të ketë ditë me shi nga fundi i verës dhe fillimi i vjeshtës, por intensiteti i reshjeve dhe prania e stuhive të forta javët e fundit në zona të tjera të hemisferës veriore (tonën) janë një tregues se si po ndryshon klima, veçanërisht për shkak të ngrohjes globale.
Krahas intensitetit, stuhitë janë gjithnjë e më të shpeshta dhe do të duhet të përballemi me efektet e tyre të kushtueshme, në të gjitha kushtet.
Nuk është e lehtë t'i atribuosh me siguri një ngjarje të vetme atmosferike ngrohjes globale, veçanërisht për shkak të numrit të madh të variablave të përfshirë.
Grupet kërkimore krahasojnë atë që ndodhi në një periudhë të caktuar kohore me atë që duhej të pritej (bazuar në simulimet dhe modelet që i referohen të dhënave të serive kohore) dhe, në varësi të dallimeve dhe faktorëve të tjerë, tregojnë se sa mundësi ka që një ngjarje e caktuar të jetë varur nga ndryshimet klimatike.
Këto studime të atributeve kërkojnë kohë për t'u kryer dhe për këtë arsye nuk janë ende të disponueshme për “Boris”-in, por karakteristikat e stuhisë në krahasim me atë që është vërejtur në të kaluarën dhe prania e ndryshimeve të tjera të mëdha midis Shteteve të Bashkuara, Afrikës dhe Azisë, tashmë po ofrojnë disa të dhëna.
Një analizë fillestare e kryer nga "Climameter", zbuloi se karakteristikat e stuhisë mund të gjurmohen në ndryshimet klimatike të lidhura me aktivitetet njerëzore. Prania e trazirave të tjera të mëdha midis Shteteve të Bashkuara, Afrikës dhe Azisë po jep disa të dhëna të mëtejshme për veçantinë e fenomenit.
Stuhia “Boris”, për shembull, u formua në fund të verës më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në Tokë, sipas të dhënave të mbledhura nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike “Copernicus”, programi i bashkëpunimit shkencor i Bashkimit Evropian që merret me vëzhgimin satelitor dhe studimin e planetit tonë.
Everything is stuck! That partly explains the 20” of rain along the Carolina Coast and extreme rains and snows in Central Europe. Take a look at the jet stream in the US and Europe. Rex blocks (high over top of low) abound with an extremely wavy jet stream! pic.twitter.com/R8B8PUoCRE
— Jeff Berardelli (@WeatherProf) September 16, 2024
Vera e vitit 2024 ishte 0,69°C më e ngrohtë se mesatarja për periudhën 1991-2020 dhe tejkaloi me 0,03°C rekordin e mëparshëm, i cili u vendos vetëm verën e kaluar (2023, ishte viti më i nxehtë i regjistruar).
Temperaturat veçanërisht të larta të verës kanë kontribuar në prodhimin e avullimit më të madh në disa sipërfaqe të mëdha ujore, si Deti Mesdhe dhe Deti i Zi, me prodhimin e fronteve të ajrit të lagësht që vijnë nga jugu, i cili përzihet me ajrin me një temperaturë më të ulët që vjen nga Evropa Veriore.
Takimi mes këtyre masave ajrore me temperatura dhe lagështi të ndryshme, favorizoi prodhimin e sistemeve me re, të cilat më pas sollën reshjet e dendura të javës së fundit në Evropën Qendrore dhe ditët e fundit në një pjesë të anës së Adriatikut (mes Italisë dhe Shqipërisë).
Reshjet ishin të vazhdueshme dhe shqetësimi u zhduk ngadalë për shkak të pranisë së dy zonave me presion të lartë - atë që zakonisht shoqërohet me mot të mirë - që e rrethonin atë si në lindje, ashtu edhe në perëndim, duke bërë lëvizje përgjatë skajeve të tij.
Nuk është një fenomen i pazakontë në vetvete, por në rastin konkret, ai preku për disa ditë një zonë shumë të madhe gjeografike, duke sjellë reshje të dendura shiu në lumenj dhe liqene, duke ngopur tokën dhe duke sjellë si pasojë formimin e përmbytjeve të mëdha.
Sipas "Washington Post", analiza e kryer deri tani ka nxjerrë në pah kushtet në atmosferë që kanë ndikuar në rrjedhën e erërave që shkojnë nga lindja në perëndim.
“Lumenjtë e ajrit”, që qarkullojnë në lartësi të mëdha, kalojnë nëpër atmosferë dhe, ashtu si rrjedhat, këto mund të prodhojnë kthesa dhe devijime që shkaktojnë ndryshime në drejtimin e erës dhe lëvizjen e reve.
Zona të mëdha me presion të lartë dhe të ulët kanë devijuar ndjeshëm rrjedhën e këtij fenomeni, duke zvogëluar lëvizshmërinë e disa masave ajrore mbi Evropë dhe zona të tjera të hemisferës sonë.
Ka mundësi që ndër faktorët që e kanë përcaktuar këtë situatë, të jenë edhe njëherë temperaturat e larta të verës, të cilat kanë bërë që oqeanet të ngrohen më shumë se zakonisht.
Temperatura mesatare e sipërfaqes së detit në nivel global ishte pothuajse 1 °C më e lartë se vlerat mesatare të referencës së shekullit të kaluar (në disa zona të Atlantikut arriti në 2.53 °C).
Oqeanet grumbullojnë energji në formën e nxehtësisë dhe kjo ushqen një pjesë të mekanizmave atmosferikë që çojnë në shqetësime intensive dhe shpesh të vazhdueshme.
Një studim i kryer mbi përmbytjet e vitit 2021 në Evropë, të cilat prekën kryesisht Gjermaninë dhe Belgjikën, për shembull, arriti në përfundimin se ngrohja globale e shkaktuar nga aktivitetet njerëzore i kishte bërë ato ngjarje moti më të mundshme.
Edhe në atë rast, stuhia u formua kryesisht si pasojë e ajrit të ngrohtë dhe të lagësht që vinte nga Mesdheu, i cili prej disa vitesh në stinën e nxehtë ka regjistruar temperatura mbi mesataren e sipërfaqes.
Njohuritë më të mëdha mbi fenomenet e këtij lloji, të marra veçanërisht vitet e fundit, i kanë lejuar qeveritë të kenë informacion më në kohë mbi evoluimin e kushteve atmosferike për të parandaluar dhe të paktën për të mbajtur të sigurt popullsinë.
Shkalla e përmbytjeve në Evropë ka rezultuar në një numër relativisht të vogël viktimash, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur në Afrikë, ku të paktën një mijë njerëz kanë vdekur javët e fundit për shkak të shirave të dendur dhe përmbytjeve.
Në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, ka rreth 3 milionë njerëz të zhvendosur nga një sezon shirash shumë më i rëndë se zakonisht, i cili sipas disa parashikimeve do të sjellë pesëfishin e sasisë së shiut që bie mesatarisht në shtator në zonë.
Në këtë rast, lidhja e mundshme është me rritjen progresive të temperaturës mesatare në Sahel, brezi i gjerë i territorit që shtrihet nga veriu në jug midis shkretëtirës së Saharasë dhe savanës sudaneze, dhe nga perëndimi në lindje nga Oqeani Atlantik në Detin e Kuq.
Përmbytjet kanë prekur deri tani 14 vende, duke shkaktuar dëme të mëdha sidomos në plantacione dhe duke përkeqësuar kushtet tashmë të vështira të furnizimit me ushqim për popullsinë vendase.
Përgjatë bregut lindor të Shteteve të Bashkuara të Smerikës, shirat e dendur në fillim të kësaj jave shkaktuan përmbytje dhe dëmtime midis Karolinës së Veriut dhe Karolinës së Jugut.
Në disa zona, 45 centimetra shi ranë në vetëm 12 orë, sipas gjetjeve fillestare, të cilat, nëse konfirmohen, do të çonin në një nga ngjarjet më ekstreme atmosferike për ato zona në shekujt e fundit.
Shirat u shkaktuan nga një shqetësim që ishte krijuar mbi Atlantik, por pa energji të mjaftueshme për t'u shndërruar në një uragan.
Javët e fundit ka pasur edhe reshje të dendura shiu në Azi, me një tajfun që sjell erëra të forta dhe stuhi në Shangai në fillim të javës, duke kërkuar pezullimin e fluturimeve ajrore dhe ndërprerjen e linjave të ndryshme të shërbimit të transportit publik në një zonë metropolitane ku përafërsisht jetojnë 25 milionë njerëz.
Më parë kishte pasur stuhi të tjera të forta në pjesë të Kinës, Japonisë dhe Vietnamit, me përmbytje, dëme të mëdha dhe dhjetëra të vdekur.
Natyrisht, këto ngjarje atmosferike kanë pasur karakteristika dhe evolucione të ndryshme dhe nuk janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën, edhe pse kanë të bëjnë me vende të largëta nga njëra-tjetra dhe me karakteristika të ndryshme gjeografike.
Në shumë zona të hemisferës veriore, kalimi nga vera në vjeshtë është karakterizuar gjithmonë nga stuhi, uragane dhe tajfune, por seritë historike dhe të dhënat e mbledhura, tregojnë një frekuencë më të madhe të ngjarjeve ekstreme me pasoja të forta për popullatën.
Modelet e bazuara në ato të dhëna tregojnë gjithashtu një rritje të fenomeneve të këtij lloji, por disa nga ngjarjet atmosferike që kanë ndodhur në vitet e fundit, kanë tejkaluar disa nga modelet më pesimiste dhe për këtë arsye kanë rezultuar të jenë më ekstreme se sa pritej.
Për më tepër, temperatura mesatare globale është 1,29 °C më e lartë se në periudhën para-industriale, kur aktivitetet njerëzore lëshonin shumë më pak gazra serë sesa sot.
Nëse kjo prirje do të vazhdonte dhe për momentin nuk ka elementë për të besuar ndryshe, deri në fund të vitit 2032 mund të arrihet pragu prej 1,5 °C i vendosur nga Marrëveshja e Parisit, si kufiri maksimal për të shmangur pasoja edhe më katastrofike që lidhen me ngrohjen globale.
Në vitin 2021, Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, kishte raportuar në raportin e tij se: “Ndikimi njerëzor, veçanërisht i lidhur me prodhimin e gazeve serrë, është ndoshta faktori kryesor në intensifikimin e vëzhguar të reshjeve intensive në shkallë globale në tokë".
Përveç raportimit të të dhënave të para konkrete për ndikimin e aktiviteteve njerëzore në intensifikimin më të madh të reshjeve në Evropë, Azi dhe Amerikën e Veriut, raporti paralajmëroi se "reshjet në përgjithësi do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive me rritjen e ngrohjes globale".
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.