Shendet

Studimi i ri: Endometrioza dhe sëmundjet imunitare lidhen me njëra-tjetrën

Gratë me endometriozë kanë një rrezik dukshëm më të lartë për të zhvilluar një sërë sëmundjesh autoimune, ka treguar një studim i ri.

Studimi i ri, që përfshin studiues nga Universiteti i Oksfordit, ka identifikuar një lidhje të rëndësishme gjenetike midis sëmundjeve të tilla si artriti reumatoid, sëmundja celiake dhe skleroza multiple me endometriozën.

U zbulua se gratë me endometriozë kishin një rrezik 30-80% më të lartë për të zhvilluar sëmundje autoimune.

Ekipi i hulumtimit tha se informacioni i ri mund të përdoret “për të kërkuar rrugë të reja trajtimi që mund të funksionojnë në të gjitha këto probleme”.

Endometrioza është një gjendje ku qelizat e ngjashme me ato të mitrës rriten në pjesë të tjera të trupit.

Simptomat përfshijnë dhimbje të forta menstruale dhe shkakton lodhje ekstreme.

Prof. Krina Zondervan, bashkëautore kryesore tha se studime të tilla të mëdha ofrojnë “njohuri të reja të vlefshme mbi biologjinë e sëmundjeve”.

“Në këtë rast, ne kemi ofruar prova të forta të një lidhjeje midis endometriozës dhe rrezikut pasues të sëmundjeve të tilla si osteoartriti dhe artriti reumatoid, dhe ne kemi treguar se kjo ka një bazë biologjike,” tha ajo.

Gjetjet sugjerojnë gjithashtu që gratë me endometriozë duhet të monitorohen më nga afër për zhvillimin e gjendjeve imunologjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë