Nga Gazeta Si- Nga 923 persona me sklerozë multiple në Shqipëri, vetëm 157 prej tyre marrin trajtim, numri më i ulët në rajon, krahasuar me Kosovën, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Për herë të parë në Shqipëri është kryer një studim për këtë sëmundje, ku del në pah mungesa e një strategjie për trajtimin e sëmundjes.
Shqipëria ka aksesin më të ulët në terapi në rajon, vetëm 6 nga 19 barna moderne janë të disponueshme.
Mosha e të prekurve me sklerozë multiple varion nga 20 në 50 vjeç dhe përpos problemeve shëndetësore, 98 për qind e të prekurve vuajnë edhe emocionalisht dhe vetëm 1% merr ndihmë psikologjike.
Në studim del që nga trajtimi i 157 pacientëve të 2024, shteti ka shpenzuar 1.3 mln euro por kosto që vjen nga mostrajtimi shkon 9.3 mln euro.
Mostrajtimi sjell barrë socialo-ekonomike sepse këta persona humbin mundësinë për t’u punësuar ku momentalisht 70 për qind nuk janë të punësuar.
“Për këto persona, përkrahja ekonomike, shtrimet në spital dhe pagesa për kujdestarin kushton më shumë sesa sigurimi i barnave. Vetëm trajtimi i pjesshëm i kushton shtetit 1.3 milionë Euro në vit, por mos-trajtimi i kushton 9.1 milionë Euro, një humbje ekonomike masive”, nxjerr në pah studimi.
Nga ana mjekësore, skleroza multiple përcaktohet si “një inflamacion i sistemit nervor qendror (truri dhe palca kurrizore) të pasuar nga humbja e shtresës mbrojtëse të mielines që rrethon fibrat nervore”.
Kjo sëmundje shkakton një paralizim të impulseve nervore. Skleroza multiple vjen në disa forma si; përsëritëse, progresive sekondare, progresive primare, progresive përsëritëse dhe beninje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



