Një studim i ri zbulon se gjinia dhe mosha juaj përcaktojnë se sa të forta janë nivelet e antitrupave pas marrjes së dy dozave të vaksinës kundër koronavirusit Pfizer-BioNTech. Instituti i Kërkimeve Biomjekësore të Teksasit, në bashkëpunim me Universitetin e Veronës, Itali, zbuloi se antitrupat janë më të larta për gratë dhe fëmijët sesa për burrat dhe individët mbi moshën 65 vjeç.
Për pjesëmarrësit e studimit nën moshën 65 vjeç u zbulua se kishin më shumë se dyfishin e nivelit të antitrupave mbi pragun e këshilluar. Megjithatë, studimi, i cili konsiderohet të jetë studimi më i madh në botë mbi prevalencën e antitrupave me kalimin e kohës, tregoi gjithashtu se nivelet ranë me 50 për qind brenda gjashtë muajve për të gjithë, pavarësisht nga mosha apo gjinia.
Brandon Michael Henry, një mjek shkencëtar dhe studiues në Texas i cili drejtoi studimin, tha në një deklaratë se ndërsa ne shohim se vaksinat funksionojnë nivelet e antitrupave po bien shpejt tek të gjithë personat.
“Studimi ynë ofron prova shtesë se injeksionet përforcuese për të gjithë të rriturit do të jenë të rëndësishme për të mbajtur nivelet e antitrupave në mënyrë që ne të mund të vazhdojmë të krijojmë një përgjigje imune efektive kundër infeksionit COVID-19 dhe të parandalojmë vdekjet”, shtoi ai.
Gjetjet bazohen në një grup prej 787 punonjësish të kujdesit shëndetësor në Itali, nga mosha 21 deri në 75 vjeç, të cilët morën dy doza të vaksinës. Studiuesit matën nivelet e antitrupave në subjektet e studimit para vaksinimit, pas dozës së dytë dhe gjashtë muaj pas vaksinimit.
Ekipi shpjegon se ndryshimi i treguar midis gjinive është për shkak të hormoneve në trup veçanërisht për testosteronit tek meshkujt.

Sipas njoftimit për shtyp, testosteroni ‘shtypë natyrshëm sistemin imunitar, ndërsa estrogjeni, i cili është më i lartë tek gratë, dihet se përforcon përgjigjet imune.
Gjithashtu, disa gjene që kodojnë për disa proteina imune janë në kromozomin X dhe meqenëse gratë kanë dy kromozome X, kjo mund të ndihmojë në rritjen e aktivitetit imunitar.
“Normalisht, vetëm një kromozom X është aktiv dhe tjetri është kryesisht i çaktivizuar, por ka prova që gjenet e lidhura me imunitetin qëndrojnë aktivë në atë kromozom të tepërt dhe ndihmojnë në rritjen e përgjigjeve imune tek gratë,” tha Henry.
Henri theksoi se rënia e nivelit të antitrupave nuk do të thotë se vaksinat nuk janë efektive. Dhe vëren se ndërsa “antitrupat vazhdojnë të bien me kalimin e kohës, dozat përforcuese mund të ndihmojnë në ruajtjen e niveleve të tyre.
Studimi vjen pikërisht kur bota përballet me një variant të ri të koronavirusit që Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se paraqet një rrezik global ‘shumë të lartë’.
Varianti i ri, i quajtur Omicron, u identifikua për herë të parë në Afrikën e Jugut javën e kaluar, por që atëherë ka bërë rrugën e tij në pjesë të Evropës dhe Amerikës së Veriut. Omicron është forma më e mutuar e COVID-it e gjetur ende dhe është shpallur një ‘variant shqetësues’ nga OBSH, sepse të dhënat e hershme tregojnë se është më infektues se Delta.
Burimi:Daily Mail/Përshtati:Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje