Shkencë

Studimi: Antitrupat e vaksinës Pfizer bien më shpejt se AstraZeneca

Vaksina Pfizer-BioNTech është fillimisht më efektive kundër variantit të koronavirusit Delta sesa vaksina AstraZeneca, por kjo mbrojtje më pas bie me një ritëm më të shpejtë, ka treguar hulumtimi i ri. Shkencëtarët nga Universiteti i Oksfordit kanë konfirmuar se performanca e përgjithshme e dy vaksinave zvogëlohet nga Delta. Sidoqoftë, dy doza të secilës vaksinë ende sigurojnë të paktën të njëjtin nivel mbrojtjeje të fituar përmes infeksionit natyror. Duket se ka pak ndryshime në efektivitetin e vaksinës AstraZeneca tre muaj pas një doze të dytë, sipas studimit. Në të kundërt, ka një rënie të qartë të mbrojtjes të siguruar nga vaksina e Pfizer gjatë këtij afati të njëjtë kohor.
“Edhe me këto rënie të vogla në mbrojtjen kundër të gjitha infeksioneve dhe infeksioneve me barrë të lartë virale, është e rëndësishme të theksohet se efektiviteti i përgjithshëm është ende shumë i lartë,” tha Koen Pouwels, një studiues i lartë në Departamentin e Shëndetit të Popullsisë në Universitetin e Oksfordit.
Studimi, i kryer në partneritet me Zyrën e Statistikave Kombëtare (ONS) dhe Departamentin për Shëndetin dhe Kujdesin Social (DHSC), pa të dhënat midis Dhjetorit 2020 dhe Gushtit 2021. Testet PCR nga më shumë se 700,000 pjesëmarrës u analizuan nga para dhe pas 17 majit 2021. Analiza zbuloi se për infeksionet me një ngarkesë të lartë virale, mbrojtja një muaj pas dozës së dytë të “Pfizer ishte 90 për qind më e madhe se një individ i pa vaksinuar, duke u zvogëluar në 85 për qind pas dy muajsh dhe 78 për qind pas tre. Për AstraZeneca, mbrojtja ekuivalente ishte 67, 65 dhe 61 për qind,” thanë studiuesit.
Gjetjet tregojnë gjithashtu se ata të infektuar me variantin Delta pas dozës së tyre të dytë kishin nivele të ngjashme të virusit me njerëzit e pa vaksinuar.

Sarah Walker, një profesoreshë e statistikave mjekësore në Oksford dhe studiuese kryesore e studimit, tha se ishte e paqartë “sa transmetim mund të ndodhë nga njerëzit” të cilët janë të infektuar me Delta pasi janë vaksinuar plotësisht. Të dy shkencëtarët theksuan se rezultatet e studimit nuk ofrojnë asnjë indikacion mbi nivelet e mbrojtjes së vaksinave kundër sëmundjeve të rënda dhe shtrimit në spital.
Sidoqoftë, ajo sugjeroi që koha midis dozave nuk ndikoi në efektivitetin në parandalimin e infeksioneve të reja, dhe se të rinjtë (të moshës 18-34 vjeç) kishin më shumë mbrojtje nga vaksinimi sesa grupmoshat më të vjetra (35 deri 64-vjeç).
Hulumtimi gjithashtu zbuloi se një dozë e vetme e vaksinës Moderna kishte efektshmëri të ngjashme ose më të madhe kundër variantit Delta si doza të vetme të vaksinave të tjera.
Alexander Edwards, profesor në Teknologjinë Biomjekësore në Universitetin e Reading, i cili nuk ishte i përfshirë në studim, tha se në përgjithësi ky studim është i shkëlqyeshëm pasi tregon se edhe pse Delta është më e mirë në infektimin e njerëzve të vaksinuar sesa variantet e mëparshme, vaksinat ende janë shumë funksionale./The Independent/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë