Shendet

Studimi: A mund të riinfektojë Omicron 2 dikë që është tashmë i sëmurë me Omicron 1?

Varianti i ri Omicron i SARS-CoV-2, që është përhapur me shpejtësi në mbarë botën, mbart mutacione të shumta në rajone kyçe dhe shoqërohet me rritjen e transmetueshmërisë. Varianti kohët e fundit është ndarë në katër nën-variante me dallime thelbësore gjenomike, veçanërisht midis Omicron BA.1 dhe BA.2.
Në deklaratën e fundit mbi nën linjat Omicron BA.2, Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se ka studime që po vlerësojnë rrezikun e ri të riinfektimit me BA.2 kundrejt BA.1. Por sa e mundur është kjo? Një studim i gjerë tregoi se shkalla e riinfektimit duket të jetë e ulët.

Riinfektimi BA.2 është dokumentuar pas infektimit BA.1, megjithatë të dhënat fillestare nga studimet e riinfektimit në mbarë popullatën tregojnë se infektimi me BA.1 ofron mbrojtje të fortë kundër riinfektimit nga BA.2, të paktën për periudhën e kufizuar për të cilën të dhënat janë të disponueshme. Në Danimarkë, ku u krye studimi që paraqesim këtu, është vërejtur një rritje dramatike e numrit të rasteve të Omicron BA.2 që nga fillimi i vitit 2022 dhe ky nënvariant tani përfaqëson 88% të të gjitha rasteve.
Numri i rasteve me këtë nënvariant është aktualisht në rritje edhe në vende si Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut dhe Norvegjia. Këto dy lloje omicronesh ndryshojnë në afërsisht 40 mutacione, duke përfshirë mutacionet kyçe në domenin N-terminal dhe lidhjen e receptorit të gjenit spike, të cilat të dyja ndikojnë në përgjigjen imunitare të trupit.

Foto ilustruese-Një familje sëmurë

Me rritjen e nënvarianteve të Omicron, një numër i madh riinfektimesh janë vërejtur në rastet e mëparshme, duke ngritur pyetjen nëse konkretisht BA.2 mund t’i shpëtojë imunitetit të fituar natyral menjëherë pas një infeksioni BA.1.
Për të hetuar këtë, autorët e studimit zgjodhën një nëngrup mostrash nga më shumë se 1.8 milionë raste të infeksioneve në periudhën nga 22 nëntori 2021, deri më 11 shkurt 2022. U zgjodhën individë me dy mostra pozitive me më shumë se 20 dhe më pak se 60 ditë diferencë. Midis 1.848.466 personave të infektuar gjatë periudhës së studimit, u identifikuan 1.739 raste ri infektimesh.
Mosha mesatare e pacientëve ishte 15 vjeç dhe asnjë nuk ishte mbi 39 vjeç, 89% ishin të pavaksinuar, 6% kishin marrë dy doza të vaksinës COVID-19 dhe 4% kishin marrë një dozë. Shkalla e riinfektimit duket të jetë e ulët duke pasur parasysh numrin e lartë të testeve pozitive të SARS-CoV-2 gjatë periudhës së studimit, por gjithsesi thekson nevojën për vlerësim të vazhdueshëm të kohëzgjatjes së imunitetit të shkaktuar nga vaksina ose nga infeksionet e varianteve të mëparshme. Duke pasur parasysh periudhën e shkurtër ndërmjet infeksioneve, shtojnë autorët, mund të jetë e arsyeshme të rivlerësohen këshillat e ekspertëve të ECDC, i cili kërkon dy mostra pozitive me më shumë se 60 ditë largësi për të shqyrtuar ri infeksionin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë