Ngjarje

Rreth 43% e të rinjve shqiptarë duan të emigrojnë përgjithmonë

Një studim i fondacionit gjerman Friedrich Erbert tregon se të rinjtë shqiptarë dëshirojnë shumë të largohen nga vendi për një kohë shumë të gjatë ose dhe të mos kthehen më.

Si numër, shqiptarët janë të dytët që duan të ikin, pas rumunëve (358 mijë).

Studimi vë në dukje se vala e emigracionit ndër të rinj ka nisur rënien në shumë vende të Europës Juglindore, por ai mbetet i lartë në rajonin e Ballkanit dhe sidomos në Shqipëri.

Mbi bazën e përgjigjeve për pyetjen mbi dëshirën e tyre për t’u larguar nga Shqipëria dhe sa e fortë është kjo dëshirë, të rinjtë shqiptarë ndahen në tre grupe: Një e treta e tyre nuk ka për qëllim të emigrojë; një e katërta e tyre, rreth 23 përqind, kanë një dëshirë të moderuar ose të ulët për t’u larguar dhe shumica që mbetet, rreth 43 përqind kanë një dëshirë të shprehur mjaft të fortë për t’u larguar (e përcaktuar kjo si një dëshirë për të qenë jashtë vendit për më shumë sesa 20 vite.)

Rreth 13 përqind thonë se dëshirojnë të qëndrojnë për rreth pesë deri në dhjetë vjet dhe 16 përqind pohojnë se duan të qëndrojne deri në pesë vjet. Vetëm 8 përqind thonë se do të qëndrojnë për pak kohë, rreth gjashtë muaj.

Shumica e personave, që dëshirojnë të jetojnë jashtë Shqipërisë përgjithmonë, janë femrat.
Arsyet kryesore që japin të rinjtë për dëshirën që kanë për tu larguar nga vendi janë kërkesa për standarte më të mira të jetesës dhe për një punësim më të kënaqshëm, pra një natyrë ekskluzive ekonomike, ndërkohë që arsimi mbetet dytësor si motiv për t’u larguar.
Raporti tregon që arsyet janë po ato që kanë rezultuar nga raporti i 2014-ës.

Gjermania rezulton destinacioni më i dëshirueshëm për të gjithë ata që duan të ikin, e ndjekur nga Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Franca.

Të rinjtë që dëshirojnë të migrojnë janë të predispozuar për të qënë qytetarë shëmbullorë në vendet ku do të shkojnë dhe kontribues të shkëlqyer në ato shoqëri: thonë se do të mësojnë gjuhën, do të shfaqin sjellje qytetare të mira dhe një performancë të qëndrueshme profesionale, do të ndajnë njohuritë e tyre, madje dhe do të pranojnë ato lloj punësh, që popullsia vendase nuk i preferon.

Shumica e atyre që raportojnë dëshirën më të fortë për të emigruar jetojnë në Veri të vendit. Shumica e të rinjve që kanë dëshirë të emigrojnë, 26 përqind, besojnë se do ta realizojnë këtë në dy vitet e ardhshme. 22 përqind e të tjerë besojnë se kjo do të ndodhë në pesë vitet pasuese.

Një tjetër grup prej 21 përqind kanë ndërmend që planin për të lëvizur jashtë vendit ta realizojnë në vetëm gjashtë muajt e ardhshëm, pra, relativisht shpejt. Vetëm një e dhjeta e të rinjve që dëshirojnë të largohen besojnë se kjo do të kërkojë shumë kohë, dhjetë ose më shumë vite, që të ndodhë.

Pra, është e dukshme që shumica absolute e dëshiron emigrimin të ndodhë herët në jetën e tyre dhe jo në faza të mëvonshme.

Krahasuar me dëshirën dhe pritshmëritë e tyre, rezulton se jo të gjithë të rinjtë kanë ndërmarrë veprime konkrete, të cilat do të mundësonin që planet e tyre të bëheshin realitet.

Kur janë pyetur se çfarë kanë bërë deri tani konkretisht për të realizur dëshirën për të emigruar, rreth 65 përqind thonë se s’kanë bërë asgjë.

Shumica e atyre, të cilët kanë ndërmarrë disa hapa, raportojnë se kanë kontaktuar dhe kanë kërkuar ndihmë nga miqtë ose të afërmit e tyre, që tashmë jetojnë jashtë vendit.
Vetëm 13 përqind prej tyre kanë ndërmarrë veprime më të qenësishme si sigurimi i një burse studimi, kontakti me punëdhënës të mundshëm apo dhe kontaktimi i ambasadave përkatëse në vend.

Raporti sugjeron se institucionet shqiptare duhet ta rishqyrtojnë qasjen e tyre indiferente ndaj çështjes së dëshirës së të rinjve për të emigruar në masë dhe të konsiderojnë me kujdes të gjitha pasojat e mundëshme afatgjata të saj, duke filluar nga ndikimi te skema e pensioneve, mungesa e stafit mjekësor në sistemin e shëndetësisë dhe deri te largimi i “trurit”.

Tërheq vëmendjen fakti që të rinjtë, nga njëra anë, janë mjaft të vendosur të tregojnë anën e tyre më të mirë si qytetarë dhe profesionistë në vendin ku duan të shkojnë dhe, nga ana tjetër, duken mjaft të shkurajuar për ta provuar këtë në vendin amë.

Në se ky frymëzim për të punuar fort dhe për të qenë qytetarë model do të ishte prezent në Shqipëri, shumë procese të nevojshme të ndryshimit do të ecnin më shpejt dhe do të ishin më eficiente.

Arsyet për këtë mungesë entuziazmi mund të gjenden në tranzicionin e stërzgjatur dhe të vështirë të Shqipërisë dhe, sidomos, te korrupsioni dhe polarizimi ekstrem në politikën shqiptare.

Politikëbërësit dhe vendimmarrësit kanë mundësi ta shfrytëzojnë këtë potencial të të rinjve, duke e kthyer vëmendjen drejt shoqërisë shqiptare në mënyrë që të realizohet integrimi europian i Shqipërisë.

Po ashtu, është njëlloj e rëndësishme që vendet tipike pritëse të shqyrtojnë politikat e tyre të deritanishme dhe të jenë më transparente dhe më të qarta në mesazhet që iu përçojnë emigrantëve potencialë përsa i përket dëshirueshmërisë së tyre, mundësive reale për të marrë një status qëndrimi të ligjshëm, si dhe perspektivës së tyre afatgjatë, pasi thekson raporti, kjo do të evitonte një lloj hipokrizie të deritanishme, ku vëmë re se disa vende europiane ankohen për emigrimin dhe, ndërkohë, sponsorizojnë jo pak programme, që inkurajonë njerëzit e kualifikuar të largohen nga rajoni ynë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë