Shendet

Studimet tregojnë se vaksina për virusin sincicial të frymëmarrjes te fëmijët është efektive

Së shpejti mund të ketë një vaksinë që ul rrezikun e virusit sincicial i frymëmarrjes (RSV) tek foshnjat, njoftuan shkencëtarët. Nga një vrojtim i bërë nga “AstraZeneca” dhe firma franceze “Sanofi” u zbulua se vaksina shkurtoi shtrimin në spital me dy të tretat tek fëmijët nën moshën një vjeç. Vaksina e nirsevimab jepet si një dozë e vetme dhe mbrojtja zgjat për pesë muaj.
Rezultatet e provave të fazës së tretë janë përshkruar si një ‘ndryshim paradigme’ nga ekspertët që drejtojnë studimet. Deri më tani nuk ekziston asnjë vaksinë për gjendjen, pavarësisht viteve të tëra hulumtime. Një injeksion i njohur si palivizumab u ofrohet foshnjave me rrezik të lartë në Mbretërinë e Bashkuar, por ai siguron vetëm një muaj mbrojtje, që do të thotë se foshnjat kanë nevojë për pesë injeksione për të kaluar një sezon. RSV shkakton simptoma të ngjashme me koronavirusin.
Faza e tretë e provave klinike të vaksinës RSV rekrutoi 1,490 fëmijë të shëndetshëm në SHBA dhe Afrikën e Jugut, të cilët ishin të moshës një vjeç ose më të vogël dhe që hynë në sezonin e tyre të parë të RSV, i cili zgjat nga tetori në mars në Mbretërinë e Bashkuar.

Dy të tretat e foshnjave iu dhanë vaksina nirsevimab, ndërsa një të tretës iu dha një vaksinë placebo.
Nirsevimab është një vaksinë e antitrupave monoklonale me veprim të gjatë, e cila përfshin injektimin e proteinave që janë përgatitur në një laborator për të luftuar virusin. Nuk kërkon aktivizimin e sistemit imunitar, i cili mund të zgjasë me javë të tëra me vaksinat normale, duke ofruar mbrojtje të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë kundër sëmundjeve. Rezultatet, të publikuara në revistën mjekësore “New England Journal of Medicine”, tregojnë se 12 foshnjave të cilëve iu dha vaksina kërkonin kujdes mjekësor për shkak të viruseve të frymëmarrjes të shkaktuara nga RSV, ndërsa 25 bebeve të tjera në grupin e pa vaksinuar kishin nevojë për vizitë te mjeku, katër herë më shumë. Normat e shtrimit në spital ishin gati tre herë më të larta në mesin e grupit të pa vaksinuar krahasuar me fëmijët e imunizuar.

Studiuesit në Institutin e Kërkimeve të Fëmijëve “Stanley Manne” në Çikago, të cilët drejtuan provat, thanë se gjetjet tregojnë se vaksina është 74.5 për qind efektive në parandalimin e shtrimit në spital tek të rinjtë. Rreth një vit pasi u rekrutuan në provë, 6.1 për qind e fëmijëve të vaksinuar kishin antitrupa RSV, krahasuar me 1.1 për qind të të rinjve të pa vaksinuar.
Efektet anësore u regjistruan në 6.8 për qind të atyre që morën vaksinën nirsevimab dhe 7.3 për qind të atyre që kishin placebo, por shumica ishin të lehta ose të moderuara, duke përfshirë dhimbjen në vendin e injektimit.
Fakti që shkalla e efekteve anësore ishte afërsisht e njëjtë do të thoshte se vaksina ishte e sigurt.
William Muller, hetues kryesor i studimit dhe drejtor shkencor i provave klinike në institut, tha se këto të dhëna emocionuese tregojnë se nirsevimab ka potencialin të ofrojë mbrojtje ndaj RSV për të gjithë foshnjat.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë