Nga Gazeta ‘Si’-Studentët filluan sot (29 dhjetor) një bllokadë 24-orëshe të kryqëzimit të rrugëve në qendër të Beogradit, duke protestuar pas akuzave për parregullsi në zgjedhjet e 17 dhjetorit dhe duke kërkuar nga autoritetet atje që të lejojnë hapjen e listës së votuesve.
Kjo vendndodhje është një nga më të ngarkuarat në kryeqytetin e Serbisë.
Ata po bllokojnë kryqëzimin e rrugëve Birçaninova dhe Kneza Millosha, në afërsi të ndërtesës së Ministrisë së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale. Policia rrugore po rregullon trafikun në një zonë dhe po shmang automjetet.



Rruga Kneza Milosha është një nga rrugët më të frekuentuara në kryeqytet.
Një nga organizatorët, Ivan Bjelic, duke folur me megafon, tha se automjetet e ambulancës do të lejohen të qarkullojnë gjatë bllokadës. Siç njoftuan më herët, bllokada do të zgjasë 24 orë – deri të shtunën e 30 dhjetorit në mesditë – kur planifikojnë t’i bashkohen protestës së paralajmëruar nga përfaqësuesit e “ProGlas”, nismë e filluar para zgjedhjeve, e nënshkruar nga më shumë se 190 mijë qytetarë.
Studentët iu bashkuan protestave që kanë vazhduar që nga zgjedhjet e 17 dhjetorit, të thirrura nga koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës”, duke akuzuar ndër të tjera Partinë Progresive Serbe (SNS), që është partia në pushtet, për vjedhje në zgjedhje duke regjistruar në adresat e Beogradit votuesit e saj nga Serbia dhe jashtë vendit.
Dyshime për rregullsi në procesin zgjedhor shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiç, fushatë negative dhe përhapje të frikës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




