Gazeta Si – ‘Nema druga kako Struga’ (Nuk ka tjetër si Struga). Është një shprehje e njohur në Maqedoninë e Veriut, që i referohet bukurisë së qytetit në bregun tjetër të Liqenit të Ohrit, me shumicën e popullsisë shqiptare. Tashmë ky qytet mund të krenohet edhe me futbollin.
Për herë të parë në histori, Struga është shpallur kampione në nivelin elitar të futbollit në Maqedoninë e Veriut. E ka siguruar titullin matematikisht dy javë para mbylljes së kampionatit, falë fitores së sotme, 3-0, ndaj Sileksit.
Ky sukses historik ka firmën e trajnerit të njohur shqiptar, Shpëtim Duro, ish-trajneri i Partizanit, Flamurtarit, Vllaznisë etj. Ai ka drejtuar më parë në Maqedoninë e Veriut një tjetër ekip shqiptar, Shkëndijën e Tetovës. Ishte pikërisht humbja e tetovarëve në derbin shqiptar me Shkupin, që i dha titullin para kohe Strugës.
Me skuadrën liqenore aktivizohet edhe mbrojtësi pogradecar, Miklovan Pere, ish-kapiten i Dinamos. Struga ka bërë një sezon të jashtëzakonshëm në vendin fqinj. Përveç titullit kampion, kjo skuadër mund të bëjë bis trofesh, pasi është edhe finaliste e Kupës së Maqedonisë së Veriut.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




