Politike

‘Strehuam iranianët’, Rama në Izrael: Për pak na shkatërruan infrastrukturën digjitale, kemi ndërprerë çdo lidhje me ta

Nga Gazeta Si- Në vijim të fjalës së tij në Parlamentin e Izraelit, kryeministri Edi Rama është shprehur se Shqipëria njësoj siç strehoi hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, strehoi edhe iranianët e rrezikuar nga regjimi i Ajatollahut, të cilët janë ende në Shqipëri.

Rama shtoi se duke strehuar iranianët, Shqipëria ka marrë edhe kosto, ku sipas tij për pak u shkatërrua infrastruktura digjitale e vendit si pasojë e sulmeve kibernetike.

“Siç strehuam hebrenjtë e kemi bërë dhe me kombe të tjera. Kjo është arsyeja që i kemi dhënë dhe mijëra iranianëve strehim dhe mbrojte. Nuk është diçka qe e kemi bërë pa risk dhe nuk është pa risk edhe sot. Të strehosh një qenie tjetër njerëzore që është në rrezik, nuk është një veprim që nuk paraqet rrezik, përkundrazi”, tha Rama, duke shtuar se Shqipëria i rezistoi sulmeve të egra që për pak shkatërruan infrastrukturën digjitale.

“U këshilluam nga miqtë tanë të mëdhenj, që mos të reagojmë në mënyrë të nxituar ndaj Iranit sepse ata janë të mëdhenj”, tha Rama, duke shtuar se vendi ynë ka ndërprerë edhe lidhjen më të hollë sa një fije flokë me regjimin e Khomeneit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë