Arrestohet pronari i një hoteli në Tiranë, pasi kishte strehuar për disa kohë klandestinët sirianë që u shpëtuan mbrëmjen e djeshme në zonën e Vlorës. Ata po tentonin të udhëtonin me gomone drejt Italisë, por u penguan nga moti i keq.
I arrestuari është Fatos Dusha, ndërkohë që vijon puna dhe për identifikimin e trafikantëve, të cilët arritën të shpëtonin një ditë më parë duke përfituar dhe nga errësira.
Policia thotë se 63-vjeçari ka strehuar në hotelin e tij 9 prej emigrantëve që u kapën, ndërsa po iknin me gomone drejt Italisë.
“Specialistët e Seksionit për hetimin e Trafiqeve dhe Narkotiëve në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe DVP Tiranë, arrestuan në flagrancë shtetasin F. D., 63 vjeç, banues në Tiranë. Nga hetimet dhe provat e siguruara ka rezultuar se ky shtetas ka strehuar në ambientet e hotelit në pronësi të tij, emigrantët e evakuuar gjatë operacionit të djeshëm.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e hotelit janë gjetur të strehuar dhe 9 klandestinë të tjerë”, thuhet në njoftimin e policisë.
Klandestinët sirianë që u shpëtuan tashmë janë larguar nga Vlora dhe do të akomodohen në Durrës.
Personat që kanë qenë të shtruar në spitalin e Vlorës kanë dalë pas mjekimit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Rreth 50 klandestinë nga Siria qëndruan mbi 3 orë në përballje në det të hapur me motin e keq. Mjeti lundrues mbeti në grykëderdhjen të Vjosës për orë të tëra për shkak të erërave të forta.
Në aksionin e shpëtimit morën pjesë një mjet lundrues i Rojës Bregdetare dhe dy mjete të Guardia di Finanza.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




