Ngjarje

Strehim dhe kujdes mjekësor për fëmijët me zgjebe në Durrës. Punë të rregullt për mamanë

Nga Gazeta ‘SI’ – Grupi Teknik Ndërsektorial, autoriteti përgjegjës për menaxhimin e rasteve të braktisjes së fëmijëve, ka vendosur që tre fëmijët e gjetur në kushte të rënda në Durrës të marrin trajtim të specializuar për infeksionin e lëkurës (zgjebe). Ata do të qëndrojnë të shtruar në spital deri në përfundimin e plotë të kurimit.

Masat e marra përfshijnë sigurimin e të gjitha barnave të nevojshme, ndërhyrje mjekësore për nënën dhe fëmijët, si dhe veprime të menjëhershme higjieno-dizinfektuese në banesën ku ata jetonin. Po ashtu, është planifikuar pastrimi i plotë i apartamentit me qëllim eliminimin e çdo rreziku për përhapjen e infeksionit.

Për nënën e fëmijëve, Blerina Basha, nëpërmjet Zyrës së Punës do të shqyrtohet mundësia e sigurimit të një vendi pune me orar të rregullt 8-orësh. Kjo masë synon të reduktojë ngarkesën e saj aktuale të punës, e cila arrin deri në 16 orë në ditë, dhe t’i krijojë mundësi për t’u kujdesur më mirë për fëmijët. Ajo do të përfitojë gjithashtu mbështetje psiko-sociale.

Drejtuesja e Shërbimit Social në Bashkinë e Durrësit, Diola Xhango, bëri me dije se në mbledhjen e Grupit Teknik morën pjesë përfaqësues nga Shërbimi Social, Policia, Shëndetësia dhe organizata joqeveritare. Sipas saj, u dakordësua një plan i koordinuar për mbështetjen, rikthimin dhe integrimin e familjes në komunitet.

Autoritetet do të ndjekin edhe procedurat administrative për pajisjen e familjes me dokumentacionin e nevojshëm dhe ndryshimin e regjistrimit civil, i cili aktualisht figuron në Vaun e Dejës, ndërsa Blerina Basha është me origjinë nga Berati. Regjistrimi i ri në Durrës do t’u mundësojë atyre akses në skemat e strehimit social të bashkisë.

Nga ana e saj, 33-vjeçarja Blerina Basha ka deklaruar se nuk i ka braktisur fëmijët, por ka qenë e detyruar të punonte me orë të zgjatura për të siguruar mbijetesën. Ajo pretendon se e gjithë situata është një kurth i ngritur nga ish-vjehrra e saj.

Në dëshminë e dhënë, Basha tha se si një nënë e divorcuar me tre fëmijë, ishte e detyruar të punonte deri në 16 orë në ditë për një pagë prej 400 mijë lekësh të vjetra, nga të cilat 300 mijë shkonin për qira.

Ndërkohë, gjyshja e fëmijëve tregoi me detaje momentin kur u zbulua gjendja e tyre. Ajo tha se, pasi u kthye nga Italia, ku ka jetuar për 33 vite, shkoi për të takuar nipërit, por u përball me një situatë alarmante: fëmijët ishin të mbyllur brenda banesës, të mbuluar me batanije, ndërsa shtëpia ishte e paorganizuar dhe me erë të rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë