Gazeta Si – “Street Art” është ekspozita më e re e hapur në kryeqytet nga artisti grek, që njihet si Same84, një nga artistët më të rëndësishëm të rrugës të dekadave të fundit.
Artisti grek që numëron 5 murale në vendin tonë, ku dy prej tyre janë në Patos, dy në Tiranë dhe një në Belsh duket se tanimë ka arritur pjekurinë artistike për t’u futur në sallat e një galerie.
Ekspozita e hapur në Muzeun Historik Kombëtar është e para e këtij lloji në Shqipëri dhe vjen nën kurimin e piktorit Helidon Haliti.
“Same 84 është një artist që ka filluar të operojë në pikturë nga vitet ’96 dhe i pëlqente kryesisht të mësonte vetë, prandaj është kryesisht artist rruge. Më pas filloi me pikturën murale. Unë mendova që është një gjë e bukur për ta sjellë artin e tij në Muzeun Kombëtar”, shprehet kuratori Helidon Haliti për Gazetasi.al.
Në këtë ekspozitë artisti prezanton shumë nga punimet e tij të reja në telajo, duke i punuar me të njëjtën teknikë me të cilën ai punon muret në hapësirat e hapura publike.
“Ky fakt jep një ndjesi të veçantë të rrugës në kanavacë, ndërkohë që teksturat e çimentos dhe shkrimi me spërkatje e theksojnë këtë ndjenjë. Karakteristikë e veprave të tij janë kontrastet shumë të forta”, vijon Haliti.

Ekspozita “Street Art” vjen nën titullin “Ne jemi heronjtë tanë”. Sipas Halitit, veprat i referohen pikërisht asaj që përmend titulli, pasi të gjitha janë të frymëzuara nga fuqia jonë njerëzore dhe nevoja për të nxjerrë nga vetja heroin që të gjithë e fshehim në shpirt.
“Është një titull tejet inteligjent dhe shumë aktual, megjithëse autori nuk i pëlqen aktualitetet. ‘Ne jemi heronjtë tanë’ pikërisht është një brez, i cili ka kërkuar heronjtë prej kukullash, heronjtë ndërkombëtarë, heronjtë shumë të njohur etj. Ai në çdo murale sjell mesazhin që heronjtë jemi ne, mbrapa çdo akti heroik jemi po ne”.








Haliti rrëfen për Gazetasi.al se pikturat nuk i ka sjellë nga Athina, por gjysmat e tyre i ka bërë në Tiranë duke u frymëzuar në vendin tonë, por kryefjalë e gjithë pikturave mbetet femra.
“Në gjithë pikturat që ai ka bërë, figura heroike e tij në rastin konkret është figura e femrës, sepse shikon një forcë shumë të madhe tek ajo, madje edhe një forcë më të madhe se ne meshkujt”, shprehet ndër të tjera Haliti.

Interesantja e kësaj ekspozite sipas Halitit është se artisti nuk erdhi me ato që mbarte në shpirtin apo kurrizin e tij, por ato i gjeti mes nesh.
“Pikturën murale, por prej bezeje e ka bërë direkt në muze, dhe kjo është interesantja që ato që i gjeti mes nesh i vuri nëpër muret e Muzeut Kombëtar”, thotë kuratori Haliti, ndërsa shton se kjo vjen si një formë “për të mitizuar vetveten dhe mbi të gjitha për t’i dhënë një optimizëm dhe ditëve të vështira, që ne kalojmë me luftën që është larg, por ndonjëherë është kaq pranë, pra ne jemi heronjtë tanë”.
Ndërsa i fton të gjithë që ta ndjekin këtë ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 21 mars, Haliti thotë se deri më tani “ekspozita ka pasur një impakt më të madh tek të rinjtë. Është një ekspozitë që do t’i bëjë të rinjtë ta prekin artin e rrugës, por edhe ta deshifrojnë atë më lehtë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



