Nga Gazeta ‘SI’ – Rikthimi i emigrantëve shqiptarë në vendlindje është një ndër strategjitë e qeverisë për periudhën 2024-2030.
Ministria e Brendshme ka nxjerrë për konsultim publik një projektligj që synon të nxisë migrimin e rregull dhe nxitjen e kthimeve vullnetare të emigrantëve në atdhe duke i prezantuar ata me mundësi të reja punësimi.
“Nëpërmjet ndërhyrjeve konkrete do të synohet që deri në vitin 2026 të përmirësohen mekanizmat institucionalë, financiarë, bankarë dhe fiskalë, për të nxitur kanalet formale të dërgesave dhe përdorimin e tyre si burim investimi e zhvillimi. Gjithashtu do të shtohet lufta kundër informalitetit, sidomos në tregun e punës, duke ndikuar edhe në shkurajimin e fluksit emigrator” shkruhet në dokument.
Fillimisht parashikohen ndërhyrje nëpërmjet fushatave informuese për emigrantët shqiptarë mbi mundësitë e tregut të punës në Shqipëri, si dhe publikimin e adresave të sporteleve të migracionit në zyrat e punës dhe në bashki, ku ata mund të drejtohen për të marrë këto shërbime.
Drafti thekson se politika të tilla do të rrisin ndikimin pozitiv të migracionit në zhvillimin socioal- ekonomik kombëtar/lokal.
Në projektligj thuhet se këto qëllime do të arrihen me anë të marrëveshjeve ndërkombëtare me vendet pritëse të emigrantëve shqiptarë dhe me anë të një vlerësimi të nevojave dhe vështirësive që ata hasin.
Strategjia synon parandalimin e migracionit të parregullt nga shtetasit e huaj në Shqipëri.
Kostoja e përgjithshme e përllogaritur për Strategjinë e Migracionit 2024 – 2030, për periudhën e parë 3-vjeçare është rreth 727.9 milionë Lekë, ose rreth 6.6 milionë euro.
Për periudhën afatmesme 2024-2026, shpenzimet e planifikuara në buxhetet e institucioneve përgjegjëse janë rreth 391.8 milionë lekë, të cilat janë planifikuar në buxhetin vjetor dhe Programin Buxhetor Afatmesëm 2024-2026.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



