Shendet

Strategjia Kombëtare e Shëndetësisë/ Dasho: Thjesht një dokument i përkthyer keq

Ekspertët e shëndetësisë e konsiderojnë një dokument tejet të dobët Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë, të miratuar gjatë kësaj jave. Strategjia përcakton problemet dhe masat që do të ndërmerren në shëndetësinë e vendit tonë në vitet e ardhshme dhe është hedhur për konsultim publik që prej dhjetorit të vitit të shkuar.

Duke analizuar gjerësisht këtë dokument, eksperti i shëndetit publik Erion Dasho shpjegon për Gazetasi.al se strategjia kombëtare është një dokument i përkthyer keq që nuk bën asnjë analizë reale të situatës, as vendosje të prioriteteve dhe as mobilizon burime të mjaftueshme për zbatim.

Në dokument parashikohet që për kujdesin shëndetësor të arrijë, në 70% të shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore deri në vitin 2030. Sipas analizës së Ministrisë së Shëndetësisë për këtë strategji, do të jenë të nevojshme rreth 496.40 miliardë Lekë.

Eksperti i Shëndetit Publik Erion Dasho flet pë Strategjinë Kombëtare të Shëndetësisë

Lidhur me këtë proces Dasho shpjegon se me më pak se 130 milionë euro investime në 10 vjet, kjo strategji nuk adreson nevojat e institucioneve. “400 milionë euro në vit për shpenzimet korrente janë shumë pak dhe nuk garantojnë funksionim të sistemit shëndetësor sipas standardeve të mjekësisë moderne”, shprehet më tej Dasho.

Ai shton se problemeve madhore të sistemit shëndetësor shqiptar, si mungesa e reformimit, mungesa e një modeli për organizimin e sistemit shëndetësor, mungesa e mjekëve dhe infermiereve, cilësia e dobët e shërbimit, nuk u jepet rëndësia e duhur.

Sipas raportit, do të merren masa për të zgjerimin e rimbursimit të ilaçeve, uljen e bashkë pagesave për barna dhe sigurimin e efikasitetit të lartë të barnave në listën e rimbursimit. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime se, nuk ka masa të mjaftueshme për të kufizuar shërbimet parandaluese, si konsumimi i duhanit dhe alkoolit apo edhe përdorimi i dietave të shëndetshme për të shmangur kolesterolin.

Strategjia përcakton se gjatë vitit 2022 do të kryhet ristrukturimi i kujdesit spitalor, duke siguruar efikasitetit të shërbimit, të kosto-efektivitetit dhe performancë të sistemit spitalor në Shqipëri. Kjo çështje lidhet me aplikimin dhe shtrirjen e autonomisë spitalore.

Por sipas ekspertit Dasho, zgjidhjet që ofron strategjia janë artificiale dhe jo të besueshme. Ai shton se është e nevojshme të identifikohet modeli, sipas të cilit do të zhvillohet sistemi shëndetësor shqiptar. Dasho shpjegon se ky model duhet të jetë ai gjerman, i bazuar mbi sigurimet shëndetësore dhe jo ai anglez që u premtua para 10 vitesh, por që në fakt as edhe u zbatua ndonjëherë.

Strategjia parashikon investimet në infrastrukturë dhe teknologjinë spitalore, me krijimin e katër qendra rajonale për kujdes të specializuar, deri në vitin 2025, të cilat do të funksionojnë në formën e Qendrave Referenciale të Diagnostikimit dhe Trajtimit.

Por Dasho shpjegon se është i rëndësishëm dhjetëfishim i investimeve të parashikuara në strategji, duke garantuar të paktën 100 milionë euro investime çdo vit, fonde që lehtësisht mund të mobilizohen duke shmangur gangrenën e koncesioneve dhe vjedhjet në tendera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë