Qeveria lë të hapur derën për të tjera koncesione dhe PPP në sistemin e shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë thotë se nevoja për to në të ardhmen është e lind për përmirësimin e shërbimeve dhe arritjen e objektivit mbulimit universal të kujdesit shëndetësor.
“Shqipëria duhet të eksplorojë përdorimin e financimeve publike dhe private. Qasjet inovatore për financimin e shëndetit mund të përfshijnë: zhvillimin e strategjive për investime dhe programeve për investime kombëtare; kontraktimin social të organizatave të shoqërisë civile për të rritur financimin e brendshëm për shëndetësinë dhe për të lehtësuar ofrimin e shërbimeve efikase; eksplorimin e opsioneve të përziera të financimit, duke përfshirë partneritetet publike-private dhe shfrytëzimin e kapitalit privat”, thuhet në draft-strategjinë 2030 të hartuar nga Ministria e Shëndetësisë.
Koncesione dhe skema PPP aktualisht në këtë sektor janë katër; sterilizimi, Check Up, dializa dhe laboratorët. Kostoja e këtyre koncesioneve nga 2015-ta deri në 2020, (pa koncesionin e laboratorëve, që nuk ishte thënë ende) përllogaritej në rreth 12 miliard lek, ose 100 milionë euro.
Po në këtë strategji, synohet që brenda vitit të ardhshëm të ndryshojë ligji për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor. Në këtë draft-strategji nuk jepen më shumë hollësi se çfarë do të synojnë dhe cekin ndryshimet në ligjin dhe rregullat aktuale mbi të cilat funksionon Fondi, por thuhet vetëm “përditësohet ligji dhe aplikohen ndryshimet në financimin e kujdesit shëndetësor”.
Në strategjinë kombëtare të shëndetësisë 2016-2020, Qeveria ka të vendosur vitin 2025 si objektiv që financimi publik për kujdesin shëndetësor të arrijë, jo më pak se 70 për qind të shpenzimeve totale për shëndetësinë. E thjeshtuar, në rast se kostoja e vizitës, apo kurës së një qytetari është 100 lek, shteti paguan 70 lek dhe 30 lekët e mbetura i paguan vetë qytetari.
Realizimi i këtij objektivi është shtyrë për realizim nga 2025 në vitin 2030.
“Parashikohet që financimi publik për kujdesin shëndetësor të arrijë në 70 për qind të shpenzimeve të përgjithshme shëndetësore deri në vitin 2030 duke siguruar kështu që asnjë familje shqiptare të mos bjerë në varfëri për shkak të pagesës për kujdesin shëndetësor”, thuhet në draft-strategjinë.
Ministria e Shëndetësisë sugjeron edhe rishikim të sistemit të financimit. “Sistemi ekzistues i financimit të sistemit shëndetësor duhet të vlerësohet me kujdes dhe mekanizmat e rinj të mundshëm të financimit dhe pagesës duhet të merren në konsideratë dhe të zhvillohen për të fuqizuar koordinimin dhe integrimin e kujdesit në të gjithë nivelet e ofruesve të kujdesit dhe shërbimeve”, theksohet në dokument.
Në të njëjtin dokument thuhet se nevojitet një koordinim më i mirë i sektorit publik dhe atij privat në fushën e shëndetësisë, ndërsa parashikohet që brenda këtij dhjetëvjeçari, ofrimi i shërbimeve në sistemin e shëndetësisë të vijojë të mbetet një e mirë publike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje