Në betejën e Covid-19 në të gjithë botën shihet një nevojë e madhe për armën kundër kësaj sëmundje, vaksinën. E gjithë bota po përballet me mungesën e vaksinës përkundrejt nevojës së madhe të shteteve të ndryshme, ndër to edhe vendi ynë.
Në një postim të fundit në rrjetet sociale epidemiologu Ilir Alimehmeti ka shpjeguar se për të menaxhuar vaksinimin dhe vaksinat ka një skenar të dytë për të pasur më shumë efikasitet.
Epidemiologu tregon një studim nga Universiteti i Virxhinias në SHBA, ku studiuesit sugjerojnë modelin e vaksinimit fillimisht të personave me shumë kontakte sociale, që janë domosdoshmërish moshat aktive, le të themi 20-60 vjeç, moshë e cila është edhe brenda spektrit të vaksinës AstraZeneca.
Sipas studimit, shihet qartë se mund të arrihet një efektivitet shumë më i lartë në evitimin e vdekjeve dhe shtrimeve në spital duke i alokuar vaksinat sipas tij bazuar mbi numrin e kontakteve sociale dhe kohën totale të proksimitetit social.
Alimehmeti ka shkruar se gjetjet tregojnë se nëse ndiqet kjo strategji do të shtohet maksimalisht efektiviteti i fushatës së vaksinimit. Sipas epidemiologut kjo strategji është e vlefshme për shtetet si ne, ku vaksinat janë më pak të disponueshme, shpërndahen më ngadalë dhe rrjedhimisht kanë efikasitet më të ulët.
“Kjo është një prej strategjive që duhen të mbajmë seriozisht në konsideratë! Por ka edhe elementë të tjerë që duhet të konsiderojmë, si për shembull gjendja serologjike e popullatës. Kurrë të mos harrojmë që objektivi prioritar është të evitojmë sa më shumë vdekje dhe shtrime në spital!,” shton më tej Alimehmeti në postimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.