Futboll

Strakosha shpërblehet për durimin dhe shkëlqen në kampionat, Balliu mund Baren

Tomas Strakosha është treguar i duruar, një profesionist i vërtetë. Portieri kuqezi ka punuar me qetësi dhe ka pritur momentin e tij te Lacio. Dhe momenti ka ardhur, Sarri është dorëzuar dhe ia ka besuar atij çelësat e portës në ndeshjen me Sampdorian, ku Lacio fitoi 1-3.

U duk një Strakoshë si ai i kohëve të arta, i rilindur. Ajo gafë ndaj Gallatasarajit në Ligën e Europës duket një kujtim i largët tashmë për portierin kuqezi. Strakosha është vlerësuar me notën 6.5 për paraqitjen ndaj Sampdorias, ku bëri 2-3 pritje vendimtare.

Hysaj gjate ndeshjes Sampdoria-Lacio, 1-3. Gazeta Si, 6 dhjetor 2021

Sipas shtypit italian, është luks të kesh në skuadër një portier të dytë si Strakosha, por më shumë mundësi, tashmë ai e ka fituar vendin e titullarit. Titullar me Lacion ishte edhe mbrojtësi Elseid Hysaj, këtë herë i kthyer në të djathtë të mbrojtjes nga trajneri Sarri. Futbollisti shkodran ka bërë paraqitjen e tij të zakonshme dhe është vlerësuar me notën 6.

Në Spanjë, fundjavën që lamë pas janë ndeshur mes tyre Ivan Balliu dhe Keidi Bare, dy futbollistët e Kombëtares. Të dy ishin titullarë në ndeshjen Rajo-Valekano-Espanjol, por Balliu luajti deri në fund, ndërsa Bare u zëvendësua pas 60 minutash. Fati i ka buzëqeshur mbrojtësit të djathtë, pasi Rajo Valekano ka fituar 1-0, falë një autogoli. Valekano mban vendin e 6-të në La Liga, kurse Espanjoli të 11-tin.

Balliu feston golin e fitores ndaj Espanjolit. Gazeta Si, 6 dhjetor 2021

Me fat ishte java e fundit për sulmuesit kuqezinj. Armando Broja dhe Rei Manaj shënuan për skuadrën e tyre në Angli dhe Itali. Southemptoni i Brojës barazoi 1-1 ndaj Brajtonit, kurse Specia e Manajt barazoi 2-2 me Sasuolon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë