Thomas Strakosha ka ambicie që Shqipëria të arrijë Botërorin e parë në histori, por kuqezinjtë e dinë se që ta bëjnë këtë duhet të marrin pikë në shtëpi, kundër rivalëve të tillë si Anglia. Portieri i kombëtares shqiptare ka dhënë një intervistë të gjatë për The Guardian, nga grumbullimi i kuqezinjve duke zbuluar edhe disa nga objektivat dhe ëndrrat e tij për të ardhmen.
“Përballja me Anglinë është shumë emocionuese për ne. E shoh si një moment shumë të madh për të gjithë, sepse Anglia ka disa nga talentet më të mira në botë. Po kështu, mendoj se Premier League është më e mira në botë, – thotë Strakosha nga grumbullimi në Barcelonë. – Të luash kundër lojtarëve të Anglisë është gjithmonë emocionuese. Duke luajtur kundër saj e kupton nëse je në nivel për të garuar me të”.
Një vit me stadiume pa tifozë dhe mbylljeje kombëtare e ka kthyer futbollin në një sport tjetër për shumë njerëz. Fitorja e Shqipërisë do të ishte historike për vendin dhe një dhuratë për njerëzit atje. “Unë mendoj se do të ishte e pabesueshme, veçanërisht tani me situatën e Covid, – shton Strakosha. – Vetë ndeshja, aq më tepër fitorja, do të jetë me të vërtetë mirë për shqiptarët, pasi pandemia ka qenë vërtet e vështirë për ta”.
Covid-19 e preku personalisht Strakoshën, duke e mbajtur atë larg nga skuadra e Lazio në nëntor, me Pepe Reina që i zuri vendin. Ai ka qëndruar kryesisht në stol, para se lëndimet e kërdhokullave dhe gjurit ta mënjanonin për gjashtë javë të tjera. Është riaftësuar tashmë, por nuk e ka rifituar vendin e titullarit te bardhekaltrit.
Strakosha është përfolur për lëvizje drejt Britanisë. Chelsea, Liverpool dhe Everton kanë bërë kërkime dhe para se të luante si titullar me Lazio në sezonin 2016-2017, ai pothuajse u bashkua me Cardiff. Strakosha e mban vështrimin nga Premier League:

“Më pëlqen se si luajnë në Premier League. Atje luajnë kaq shpejt, ka kaq shumë goditje dhe bëhet një punë e madhe. Më pëlqen të punoj shumë, pasi kjo më lejon të tregoj më të mirën time. Premier League ta rrit adrenalinën, sepse aty luhet futbolli më i mirë. Më mahnit shpejtësia e lojës dhe reagimi që mund të shihni gjatë një ndeshjeje. Ju shikoni lojëra që janë 3-0 deri në minutën e 88-të dhe përfundojnë 3-3.
Atje regjistrohen momente të çmendura, tifozët janë kaq afër fushës, duket e pabesueshme. Futbollistët do të dëshironin të luanin dy ndeshje në ditë për shkak të ndjenjës së pabesueshme në Premier League. Kur kam qenë për të luajtur ndeshje miqësore kundër ekipeve angleze, atmosfera ishte e pabesueshme. Është ëndrra e të gjithëve për të luajtur në Premier League”.
Strakosha po ndjek hapat e babait të tij portier, Foto, ish-kapiten i Shqipërisë, që luajti 73 ndeshje. Ai brez u pengua nga komunizmi, sepse lojtarët nuk mund të luanin jashtë deri në vitet 1990. Thomas lindi më 1995 në Greqi, ku babai i tij po luante për Olympiakos, dhe vendosi të përfaqësojë Shqipërinë:
“Unë kam qenë i dashuruar me futbollin që kur isha i ri, për shkak të babait tim, që luante portier. Edhe unë u dashurova shumë herët me këtë rol. Më pëlqente të vishja doreza, të shihja babanë tim që kapte topin dhe të priste goditjet, shpëtonte portën e tij nga golat. Për mua ishte dashuri me shikim të parë. Ajo që babai im dhe familja ime më mësuan për jetën, jo vetëm për futbollin, është se punëtorët e zellshëm mund të kenë karriera të mëdha në cilëndo fushë që ata zgjedhin”.
Kjo kombëtare e Shqipërisë përmban lojtarë të lindur në të gjithë Europën, përfshirë Anglinë, Italinë dhe Gjermaninë, ndërsa diaspora e vendit rritet: “Çdo lojtar që vjen nga një vend tjetër dëshmon stilin e tij ndryshe, – saktëson Strakosha. – Nëse jemi mjaft të zgjuar, ne mund të vjedhim ide nga njëri-tjetri dhe të bëjmë kombinimin perfekt si ekip. Kemi shumë lojtarë të rinj, por edhe lojtarë të vjetër, kështu që kemi një përzierje perfekte.
E vetmja gjë që duhet të bëjmë tani është të jemi mjaft të pjekur dhe t’i marrim ndeshjet një nga një, për të bërë realitet ëndrrën tonë të madhe: shkuarjen në Kupën e Botës. Mendoj se kemi talentin e duhur dhe me stafin teknik, me trajnerin italian, mund t’i përmbledhim stilet nga vende të ndryshme për të krijuar një stil të kombëtares së Shqipërisë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




