Thomas Strakosha ka mposhtur koronavirusin dhe është gati t’i rikthehet fushës. Gardiani kuqezi ka rezultuar negativ në testin e fundit për koronavirus dhe sot është paraqitur në klinikën e Lacios “Paidea” për të kryer ekzaminimet e tjera mjekësore.
Portieri i kombëtares shqiptare ka humbur ndeshjet e fundit me ekipin bardhekaltër, si edhe takimet e kombëtares kuqezi të vlefshme për Ligën e Kombeve. Tashmë pritet të vihet në dispozicion të trajnerit Simone Inzaghi për ndeshjen e kësaj fundjave, në transfertën ndaj skuadrës së ngjitur rishtazi në elitën e futbollit italian, Crotones. Mungesat e vazhdueshme me Lacion në ndeshjet e fundit si dhe me ekipet kombëtare shkaktuan një kaos të vërtetë te kampi bardhekaltër.

Në ditët e kaluara janë sekuestruar dokumentet që lidheshin me 95 testet e kryera të premten e 6 nëntorit : Immobile pozitiv në tamponët Uefa para Bruges, pastaj negativ në tamponin e dyfishtë të laboratorit të Avellinos e kështu në fushë kundër Torinos; Immobile pozitiv në 3 nëntor ndaj tamponëve sërish të Uefa-s e lehtësisht pozitiv ndaj atyre të Avellinos; Immobile, Strakosha e Leiva negativë në Avellino por pozitivë në Campus Biomedico të Romës e si pasoja nuk luajtën ndaj Juventus. Në atë rast, ishte bllokuar edhe materiali i testeve, që u riprocesuan në spitalin e Moscati në Avellino e mbi të cilën po punon prokuroria.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




