Gazeta Si – Lacio do ta humbasë Tomas Strakoshën pa arkëtuar asgjë verën e ardhshme. Portieri i Kombëtares shqiptare do të largohet me parametra zero, pasi i përfundon kontrata dhe ndonjë sinjal rinovimi që u shfaq kohët e fundit, kur ai ka qenë titullar me Lacion, duket se ka rënë poshtë.
Për Lacion dhe drejtorin e saj sportiv, Igli Tare, është e pafalshme që ta humbasin portierin kuqezi pa futur asgjë në arkë. Tare është përpjekur ta mbajë Strakoshën në fakt, por është trajneri Sarri ai që nuk bindet dhe ka kërkuar një portier tjetër. Tashmë ka edhe një pistë konkrete për pasuesin e shqiptarit.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Lacio po përpiqet me çdo kusht të afrojë në skuadër Serxhio Rikon, i konsideruar si njeriu i duhur për të mbrojtur portën sezonin e ardhshëm. Kartonin e tij e zotëron PSG, që e ka huazuar te Majorka në Spanjë. “Gardiani” spanjoll është një mik i Luis Albertos dhe mund të bashkohet me Lacion në formë huazimi, duke ditur që PSG ka shumë portierë në skuadër.
Për Tomas Strakoshën ndërkohë gjithçka mbetet e hapur. Portieri kuqezi mund të transferohet në Premier Ligë ose Bundesligë, ku ka pasur oferta, por edhe mund të qëndrojë në Serinë A, ku tashmë ka krijuar një përvojë të konsiderueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




