Konferenca e dytë për mediat nxorri kuqezinjtë e rradhës (pas Hysajt dhe Lacit) Strakoshën dhe Hoxhën. Si portieri ashtu dhe mëngjërashi vunë theksin te vështirësia që paraqet kundërshtari i cili ka cilësi të pakundërshtueshme duke qënë rivali direkt për vendin e dytë që do të na dërgonte në Play-off’in e zonës evropiane. Ajo që e bën akoma më decisive ndeshjen ndaj Serbisë është sfida e parë e miqve në “Arenën Kombëtare” që duan ta nisin me këmbën e mbarë për të qënë më të favorizuar se kuqezinjtë edhe përballë Anglisë në vazhdimësinë e kalendarit.

Portieri Strakosha tha se lojtarët po punojnë mirë për të treguar se Shqipëria e meriton kualifikimin në Kupën e Botës. Serbia ka cilësi por ne jemi gati për ti përballuar dhe fituar ndaj tyre vazhdoi Strakosha që shprehet se ai nuk mendon personalisht por në grup. Ai beson tek aftësitë e mbrojtësve që ka përpara dhe thotë se është gati edhe për goditjet e dënimit që serbët i kanë një ndër pikat e forta në lojën e tyre. Gardiani që pritet të jetë titullar fton edhe tifozët që ta mbështesin njësoj si më parë Kombëtaren në ndeshjen e 3 eleminatore.

Ndërsa Hoxha që ka një konkurencë në krahun e majtë tha se nuk ka asnjë shqetësim për këtë, pasi konkurenca ndihmon në rritjen e cilësisë në lojë dhe e bën skuadrën më të fortë. Pak rëndësi ka se sa minuta do të luajë, ai do të bëjë më të mirën për të ndihmuar në një fitore të mundshme. Interesante përgjigjia e tij kur tha se fitoren ndaj Serbisë do ta ndërronte me një humbje ndaj Letonisë. Ndeshjen e 11 viteve më parë e ka përjetuar si fëmijë por më shumë ka mësuar nga Elseid Hysaj, i vetmi nga ajo mbrëmje, ende me Kombëtaren.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.