Futboll

Strakosha dhe Broja turbullojnë merkaton, por ende pa firmë

Gazeta Si – Pas kalimit të Kristjan Asllanit tek Interi, dy lëvizje të tjera të bujshme kuqezinjsh pritet të konkretizohen. Armando Broja dhe Tomas Strakosha do të kenë skuadër të re sezonin e ardhshëm.

Broja la pas një sezon të mirë me Sauthemptonin, me gola dhe nivel të lartë loje. Ai u vu menjëherë në shënjestër të klubeve të Premier Ligës dhe Serisë A, por firma ende nuk ka ardhur.

Të ardhmen e sulmuesit të Kombëtares e ka në dorë Çelsi, që nuk e ka përfshirë në listën e lojtarëve të grumbulluar për turneun amerikan. Kjo do të thotë se pista e qëndrimit te Çelsi bie poshtë.

Armando Broja, sulmuesi i Kombëtares. Gazeta Si, 10 korrik 2022

Tani mbetet të shihet, nëse do të kemi një tjetër huazim për Brojën, apo ai do të shitet përfundimisht nga klubi londinez. Uest Hemi është klubi që e ka kërkuar më fort në Angli, kurse në Itali është Napoli.

Në Premier Ligë pritet të kalojë së shpejti edhe portieri Tomas Strakosha. Ai mbylli eksperiencën disavjeçare me Lacion dhe tani kërkon të provojë emocionet e Premier Ligës.

Fulhemi ishte ekipi i pari anglez që u fut në garë për Strakoshën, madje marrëveshja u duk e kryer. Më pas doli në skenë Çelsi dhe së fundi Mançester Junajtid, që kërkon një alternativë sa më të mirë për De Gean.

Kërkesat janë të shumta dhe serioze, por duhet të presim ende për të mësuar zyrtarisht skuadrat e reja të dy prej lojtarëve më të rëndësishëm të Kombëtares shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë