Kombetarja

Strakosha dhe Berisha ngrohin stolin, porta shqetëson stafin kuqezi

Gazeta Si – Sezoni nuk ka nisur në mënyrën më të mirë për të gjithë lojtarët e Kombëtares. Madje, pak prej tyre e kanë parë veten titullarë me klubet e tyre. Konkretisht, Ivan Balliu në Spanjë dhe ‘italianët’ Berat Gjimshiti, Nedim Bajrami dhe Adrian Ismajli.

Për momentin, situata më delikate duket me dy portierët e Kombëtares, Tomas Strakoshën dhe Etrit Berishën, që të dy në stol në këtë start të sezonit.

Strakosha gjatë prezantimit te Brentfodi. gazeta Si, 15 gusht 2022

Me kalimin te Brentfordi në Premier Ligë, pritej që Strakosha të stabilizohej si titullar përfundimisht, por në dy ndeshjet e para ai nuk ka luajtur. Trajneri ka preferuar portierin spanjoll David Raja dhe ky nuk është një sinjal pozitiv për Strakoshën.

Skuadra e ish-portierit të Lacios, të paktën këto dy javë, ka ecur mirë, kështu që vështirë se do të ketë ndryshime në formacion. Strakosha duhet të presë ende për të bërë debutimin e tij në Premier Ligë.

Edhe Etrit Berisha është një zgjedhje e dytë te Torino. Trajneri Ivan Juriç ka preferuar serbin Milinkoviç-Saviç titullar dhe portieri kuqezi ka qëndruar në stol. Roli i portierit është pak delikat dhe kuptohet që qëndrimi në stol sjell humbjen e formës dhe të reflekseve.

Etrit Berisha. Gazeta Si, 15 gusht 2022

Trajneri Edi Reja duhet të shpresojë që të paktën njëri prej të dyve, Strakoshës dhe Berishës, të fillojë të luajë. Aktualisht, ky është një shqetësim në kampin kuqezi.

Në stol fundjavën që shkoi e kanë parë veten edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm të Kombëtares, si Armando Broja, Marash Kumbulla, Keidi Bare, Kristjan Asllani, Elseid Hysaj e të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë