Nga Gazeta Si - Dëgjoni zëra? Janë zërat e banorëve të lashtë që kanë jetuar në trojet tona. Historia e këtyre banorëve dhe siteve arkeologjike si Apolonia, Amantia, Lezha, Shkodra deri edhe te Kosova, vijnë të rrëfyera përmes një gjuhë të re, asaj të podcasteve.
Projekti “Storie Nostrum në Shqipëri”, i iniciuar nga Instituti i Arkeologjisë, vjen si një seri rrëfimesh për njerëzit e zakonshëm të lashtësisë nga territoret e siteve arkeologjike.
Historitë janë shkruar nga shkrimtari Gazmend Kapllani, bazuar në të dhënat e gërmimeve arkeologjike në site. “Storie Nostrum” orvatet të tregojë jetën e zakonshme të banorëve në brigjet e Mesdheut 2500 vjet më parë, duke ngritur pyetje, provokuar dhe imagjinuar përtej të dhënave vendbanimet ilire.
Këto rrëfime do të mund të dëgjohen përmes fonive në Muzeun Arkeologjik ose në site arkeologjike, por dhe në platformat online si Youtube.
Personazhe sa të krijuar prej fantazisë, aq edhe të vendosur në një mjedis konkret të një qytet-shteti si Apolonia, por mentaliteti i banorëve të lashtë është parë edhe me sytë e qytetërimit të sotshëm. Në episodin e Apolonisë kemi historinë e një rapsodi “më i vjetër se vetë koha”, që e fut dëgjuesin në një reflektim për qytetin, pushtetin, grekët dhe ilirët dhe aftësitë e tyre për vetëqeverisje.
Sipas arkeologes Belisa Muka, njëherazi drejtore e Institutit të Arkeologjisë, projekti “Storie Nostrum” është nga më të veçantët e realizuar deri më sot, sepse ia sjell publikut antikitetin me imagjinatën e një gjuhë të re.
“Qëllimi i projektit ‘Storie Nostrum’ në Shqipëri synon që, nëpërmjet formave alternative, të mund të përçojë te një publik sa më i gjerë pasurinë e madhe arkeologjike dhe trashëgiminë tonë kulturore. Për këtë qëllim bëhen bashkë arkeologë, historianë, shkrimtarë, muzikologë dhe aktorë. Bazuar në fakte të qarta historike, dokumente të qarta arkeologjike, shkrimtari, që në rastin konkret është Gazmend Kapllani, shkruan një histori bashkëkohore, por që trajton problematika të cilat janë të gjithkohshme. Këto tregime, më pas përshtaten në podkaste, me efektet zanore përkatëse”, shprehet Muka për Gazetën “Si”.
Janë prodhuar rreth dhjetë podkaste në territorin aktual të Shqipërisë me ekipet arkeologjike, që realizojnë kërkimet e tyre në terren. Ky projekt nxjerr në pah trashëgiminë arkeologjike, jo vetëm mesdhetare, por edhe trashëgiminë e territorit tonë, nëpërmjet eksplorimit të rajoneve pak të njohura të Mesdheut të lashtë.
Muka thotë se QR codes të historive të para janë vendosur në mjediset e Muzeut Arkeologjik dhe janë të disponueshme për vizitorët, nëpërmjet skanimit me një smarphone të thjeshtë.
“Kjo është një mënyrë që synon të ngacmojë interesin e një publiku sa më gjerë për pasurinë e madhe arkeologjike të vendit tonë”, vijon më tej Muka për Gazetën “Si”.
Projekti është një bashkëpunim me profesorët nga Franca Marie Pierre Dausse dhe Vincent Mespoulet ku nisi së pari projekti dhe me ambasadën franceze në Tiranë dhe ambasadoren Elisabeth Barsacq.
“Storie Nostrum” që përfshin jo vetëm shkrimtarë, po edhe zërin e aktorëve dhe media të tjera të artit dhe teknologjisë së komunikimit, siç duket do të ndryshojë qasjen mes publikut dhe shkencës për trashëgiminë arkeologjike dhe historike.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.