Ekonomi

Stonatura e punësimit “e kënduar” në Komisionin e Ekonomisë

Sabina Veizaj –Teksa dje (të mërkurën) në Komisionin e Ekonomisë prezantohej projektbuxhetit, Arben Ahmetaj me nuhatjen e një ish ministri financash të larguar vetëm pak kohë më parë vuri re një paradoks. Qeveria pretendon se vitin tjetër do të hapen 35 mijë vende të reja pune, por do të mbledhë të ardhura nga kontributi i sigurimeve shoqërore me pak se mesatarja e katër viteve të fundit.

Në pritje të një përgjigje në seancën e sotme (e enjte) kryetari i komisionit nuk mori përgjigje shteruese edhe pse kërkesa e llogarisë nga “mësuesi” Arben Ahmetaj ndaj “nxënëses” Anila Denaj  ishte e dukshme dhe dominuese. Ministres së Financave i është dashur t’u përgjigjet 100 pyetjeve të depozituara nga anëtarët e këtij komisioni për projektbuxhetin 2020, por ndaj pyetjes se “pse kur shtohen më shumë vende pune me pak njerëz do të figurojnë  në lista e pagesa”, kjo mbeti pa përgjigje.

Drejtori i Politikave Fiskale në Ministrinë e Financave Niko Lera, do t'i përgjigjej Ahmetajt se nga shifrat rezulton që të ardhurat nga sigurimet shoqërore ndër vite nuk kanë pasur një ritëm të qëndrueshëm, prandaj, duke lënë të nënkuptohet që rënia e ritmit të rritjes së këtij viti nga ky zë nuk duhet të vijë surprizë.

Por Ahmetaj do të këmbëngulte sërish për një përgjigje se pse teksa të gjithë treguesit e punësimit dhe pagave janë planifikuar në rritje për 2020-ën, të ardhurat nga sigurimet shoqërore në rënie, jo pak, por 2,1%.

“Pse në 2020-ën duhet të pranojmë një ritëm më të ulët se mesatarja e katër viteve, kur kemi numër më të madh të punësuarish? 35 mijë, rritje të pagës minimale, mesatare, rritje ekonomike?” do të pyeste Ahmetaj ministren Denaj.

Ajo në përgjigjen e saj sugjeroi që çështja të shihej më gjerë.

“Duhet ta trajtojmë më gjerë çështjen në kontekstin e zonave rurale të cilat zënë 42% të të punësuarve. Ka hapësirë për të krijuar bazë të shëndoshë për të rritur të ardhurat nga ky zë në vitet në vijim. Baza vjen e ndryshueshme, kjo jep efekte. Për vitin që vjen do të jetë më e lartë”- u shpreh ministrja duke mos dhënë një përgjigje shteruese të kënaqshme për ish-ministrin Ahmetaj.

Por  siç Ametaj habiti të mërkurën me kritika  e forta që do të kishte zili dhe një opozitar i djathtë,  kur deklaronte se “ky  buxhet nuk bën” po kaq e i habitshëm dukej sot sinergjia  e dyshes Ametaj-Denaj kur mbështesin njëri-tjetrin se “punësimi” është  një "kalë beteje" i fituar i kësaj qeverie. Sipas të dhënave të Ahmetaj, nga 2013-2019 në një legjislaturë e gjysmë të Rilindjes Socialiste kemi 297 mijë vende të reja pune më shumë.

“Kjo tregon që zhvillimi ekonomik ka shkuar tek qytetari. Premtimi që ka bërë kryeministri është aty. Është rritur paga reale, paga minimale, paga mesatare. 6% të të punësuarve u kemi ulur taksat”- tha Ahmetaj duke shtuar se është rritur mbi të gjitha raporti kontribuues/përfitues.

Nga  ky debat i stonuar rreth paradoksit të punësimit ndoshta ka një përgjigje tjetër që vjen nga ulja e  baza e forcës aktive për punë për shkak të emigracionit të shqiptarëve. Por ky përfundim është i vështirë për t’u artikuluar politikisht ndaj nga dy përfaqësues të maxhorancës ndaj Ahmetaj stonoi sot me Anila Denaj kur çështjen e lanë pezull vetëm në rrafsh akademik që ndoshta “duhet parë në të ardhmen”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë