Nga Gazeta ‘Si’-Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se është e nevojshme që Prishtina dhe Beogradi të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe t’i kthehen dialogut nën kujdesin e Bashkimit Europian.
Stoltenberg theksoi në konferencën për media, se trupat e NATO-s në Kosovë së fundmi janë përforcuar me disa qindra ushtarë nga Italia, Bullgaria, Rumania dhe Britania e Madhe.
“Ka ende tensione, është një situatë e vështirë, po e monitorojmë me shumë kujdes dhe po rrisim prezencën tonë sidomos në veri. Mesazhi kryesor është që të dyja palët, Beogradi dhe Prishtina, të përmbahen nga veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejmë dhe të përmbahen nga retorika nxitëse”, tha Stoltenberg.
Ai tha se Beogradi dhe Prishtina duhet t’i kthehen dialogut nën patronazhin e BE-së.
“Unë mendoj se është gjithashtu një mesazh i rëndësishëm të shihet se BE-ja dhe NATO-ja po punojnë krah për krah dhe se trupat e shtuara të NATO-s në Kosovë po mbështesin përpjekjet e shtuara diplomatike të BE-së”, tha Stoltenberg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




