Drejtësia

Stoku i dosjeve, s’ka interes për ndihmës ligjorë, KLP: Të ndryshojmë ligjin

Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor propozojnë që për reduktimin e mbingarkesës së sistemit të drejtësisë të shtohet numri i këshilltarëve dhe ndihmësave ligjorë të gjyqtarëve.

Por, për kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi tha se pavarësisht përpjekjeve për të rritur numrin e këshilltarëve dhe ndihmësave ligjorë, ka një mungesë interesimi nga kandidaturat potenciale për këtë pozicione.

Shkak për këtë mungesë interesi, sipas Ibrahimit është ligji aktual për ndihmësit ligjorë.

“Shtimi i ndihmësve dhe këshilltarëve ligjorë është një nga zgjidhjet për të zbutur mbingarkesën. Problemi është se ligji nuk garanton sistem karrierë për këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë të gjyqtarëve. Nga njëra anë kërkesat për të rekrutuar këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë janë të njëjta me ato të rekrutimit të gjyqtarëve, nga ana tjetër këshilltarët dhe ndihmësit ligjorë nuk përfitojnë të njëjtin status. Këtu duhet një ndërhyrje ligjore”, deklaroi kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi.

Një tjetër propozim i hedhur për të përballuar mbingarkesën në sistemin e drejtësisë është edhe shkurtimi i përkohshëm i kohës në Shkollën e Magjistraturës, nga tre vite sa është aktualisht në 2 vite.

Sipas propozimit të KLP-së kjo do të ndihmonte në adresimin e problematikës së burimeve njerëzore dhe nga ana tjetër nuk do të dëmtonte në mënyrë të konsiderueshme cilësinë e formimit të magjistratëve, duke u nisur nga fakti që në vitin e tretë të kësaj shkolle është praktika e studentëve.

Ndërkohë, kryetarja e KLGj-së, Naureda Llagami vlerësoi hartën e re gjyqësore, por duke hedhur përgjegjësinë e vonesave për hartimin e kësaj harte të re te Ministria e Drejtësisë. Gjithsesi, ajo tha se mbingarkesa në sistemin e drejtësisë nuk është vetëm problem vetëm shqiptar dhe e konsideroi atë të zgjidhshëm me shtimin e burimeve njerëzore dhe menaxhimin e duhur të stokut të çështjeve.

Deklaratat u bënë gjatë tryezës së përbashkët mes KLP-së dhe KLGj-së për analizën e punës përgjatë këtij viti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë