Ekonomi

Stoku i borxhit publik u rrit me 400 mln euro për 6 muajt e parë të vitit 2021

Stoku i borxhit publik u rrit me mbi 394 milionë euro në 6-mujorin e parë, në krahasim me fundin e vitit 2020. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave raportojnë se stoku i borxhit arriti në 1.273 miliardë lekë në fund të qershorit 2020, duke u rritur me 49 miliardë lekë, në krahasim me fundin e vitit 2020.

Borxhi i brendshëm është rritur me rreth 40 miliardë lekë dhe rreth 9 miliardë lekë rritje për borxhin e jashtëm.

Në raport me PBB, stoku i borxhit ishte 75.6%. (Krahasimi me PBB pa përfunduar viti nuk është shumë i vlefshëm për shkak se, stoku i borxhit tashmë të krijuar krahasohet me PBB e pritshme të fundit të vitit.) Si rrjedhojë në tre 3-mujorët e parë të vitit, borxhi në përqindje të PBB është më i ulët se rezultati vjetor.

Në korrik të këtij viti, qeveria ndryshoi me akt normativ buxhetin 2021, duke zgjeruar sërish borxhin publik nëpërmjet rritjes së deficitit buxhetor në 120 miliardë lekë (rreth 1 miliard euro) nga 108 miliardë lekë që ishte në fillim të vitit, duke e çuar totalin e detyrimeve rreth 1.3 triliardë lekë (afërsisht 80% e PBB-së së parashikuar në buxhetin fillestar).

Gjatë viteve të fundit, borxhi publik është rritur me ritme më të shpejta se sa rritja ekonomike e vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë