Futboll

Stojković: ‘Ndaj Shqipërisë pres shumë nga Samardžić dhe Kostić’

Nga Gazeta Si – Serbia përballet me Shqipërinë në një ndeshje vendimtare, ku i duhet me çdo kusht fitorja për të siguruar vendin në pley-off për Kupën e Botës që do të organizohet vitin e ardhshëm.

Trajneri Dragan Stojković në konferencën për shtyp theksoi disa nga emrat që kanë përgjegjësi maksimale si Lazar Samardžić.

“Samardžić është në moshë të përshtatshme, nuk është më fillestar. Ka 22 ndeshje me kombëtaren. Do të flas me të sy më sy – e njëjta gjë vlen edhe për Kostić. Dua që ta kuptojnë këtë si mbështetje, jo si presion. Pritshmëritë e mia janë reale; nuk kërkoj asgjë të pazakontë dhe ata e dinë mirë këtë,” – deklaroi Stojković që vazhdoi:

Dragan Stojković në stërvitjen e fundit

“Nesër do të jem edhe më i qetë. Nuk i vë kurrë vetes presion. Kam bërë gjithçka për t’i përgatitur djemtë, që të jenë gati. E kam formacionin, por nuk mund ta zbuloj. Kam folur me Samardžićin dhe Kostićin – pres më shumë prej tyre”.

Sa i përket portierëve, Stojković konfirmoi se Petrović do të jetë zgjedhja e parë: “Petrović është ‘numri 1’ dhe e ka merituar këtë me gjithçka që ka bërë. Rajkovići është zëvendëskapiten dhe e vlerësoj shumë – është shpirti i grupit dhe shumë i dashur në ekip – por nuk është koha për ta rikthyer si titullar.”

Në fund, trajneri serb lëshoi edhe një mesazh të qartë për yllin e ri të ekipit: “Ky djali që mban fanellën me numrin 10 (Lukic) duhet ta dijë çfarë do të thotë ajo… Po të ishte ndonjë numër tjetër, do ta kuptoja. Por 10 duhet justifikuar – sidomos kur është më e rëndësishme, si ndaj Shqipërisë.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë