Ekspozite

“Still a Life” e Helidon Halitit: Njerëzit vuajnë për art

“Njerëzit e duan artin nëse ti i prek me një lloj magjie personale dhe u përçon mesazh”, shprehet me bindje piktori i njohur, Helidon Haliti lidhur me ekspozitën e tij “Still a Life”, të çelur në Muzeun Historik Kombëtar.              

Ai thotë se edhe pse në periudhë pandemie, njerëzit “vuajnë” për art dhe duan të përjetojnë ndjesi.

“Dje kisha një takim këtu me disa të rinj dhe më pyetën ‘si ka mundësi që na preke’?”, - U them që kur unë nis një cikël dhe mundohem ta evoluoj sigurisht bisedoj me mbi 30 të rinj që t’i afrohem sa më shumë sepse kjo më intereson”, më thotë me entuziazëm piktori Haliti, ndërsa ecim nëpër hollin e Muzeut Historik Kombëtar të mbushur me portretet dhe autoportretet e tij.

Me këtë mozaik portretesh, Helidon Haliti i ka përballur artdashësit prej dy javësh gati-gati me një organizëm të gjallë, nga ku triumfon shqisa e dëgjimit.

“Nuk kishte kuptim që ekspozita të mos fillonte nga kjo shqisë. Në gjithë pandeminë njerëzit i kishin të salduar sytë nga televizori, ndërkohë që unë dëgjoj televizor, nuk shoh. Personazhet që më vinin ndërmend për t’i vizatuar ose pikturuar janë personazhe që spikasnin në TV me gjithë atë zhurmën, veshët janë të gjithë personazhe realë”, më thotë piktori Haliti, ndërsa thekson që veshët vijnë me idenë që “Edhe muret kanë veshë, që është një perceptim i ndarë në pjesë, pra izolimi para ‘90 dhe izolimi gjatë pandemisë”.

E gjithë ekspozita rrok kohë të ndryshme, pasi ndërsa shkëputesh nga dhoma e veshëve, e cila rrëfen emancipimin e shoqërisë sonë, një tjetër reflektim të jep dhoma e artë në të cilën nuk mungojnë kujtimet fëminore edhe familjarët e tij. E ndërkohë një tjetër hapësirë janë miqtë edhe bashkëpunëtorët në fushën e kulturës dhe të politikës, që i kanë dhënë dorën në këtë udhëtim artistik.

Piktori i njohur më thotë se ekspozita erdhi në një distancë kohore prej 9 vjetësh, pas ekspozitës personale në gusht të vitit 2012 dhe me këtë lidh dhe interesin e njerëzve.

“Njerëzit nuk duhen lodhur me punët, nëse ti prezanton përherë nuk është se sjell ndonjë gjë të re. Duhet t’i bombardosh me mendime të reja ose duhet të krijosh një hapësirë”, vijon të më shpjegojë ai.

E ndërsa për të tani piktura është kthyer në një hobi të mirëfilltë, Haliti thotë se guximi për të hedhur energji në këtë kohë të pazakontë u shpërblye.

“Guxova të hedh energji e kohë në ditë kaq të vështira dhe njerëzit për një moment e harruan celularin. Kjo është gjë shumë e mirë, pasi jeta tanimë është bërë shumë interaktive”, vijon ai.

Penelit të tij nuk i kanë shpëtuar as personazhet publikë si portreti i kryeministrit Edi Rama, i ish-kryeministrit Sali Berisha, të cilët vijnë të vendosur përballë njëri-tjetrit.

“Rama vjen me skulpturat e tij qeramike si për të thënë që është ende artist, ndërsa ish-kryeministri Berisha, është më pak i deshifruar për të thënë që është filiza e parë e demokracisë. Pra një lojë interesante, dhe në mes një kuti votimi, është një simbolikë ku unë sjell një nga veshët në një fazë tjetër për të thënë që gjithçka që votohet brenda, ne e dëgjojmë ne e shohim, ne e ndjejmë”, më shpjegon piktori, duke e lidhur pikturën e tij edhe me aktualitetin e zgjedhjeve në Shqipëri.

Tek e pyes se si i kanë komentuar qytetarët portretet e personazheve politike, i buzëqeshur ai më thotë se njerëzit nuk janë fokusuar të bëjnë komente për ta. 

“Pavarësisht se kam sjellë edhe personazhe politike, njerëzit nuk janë fokusuar të bëjnë komente për ta, por janë fokusuar tek arti, tek teknika, e tek guximi”.

Imazh tjetër që ai sjell në ekspozitë është edhe i ndjeri Moikom Zeqo, të cilin ai e ka vendosur në fund të sallës.

Portreti i fundit, i ndjeri Moikom Zeqo

“Ka një arsye që e kam vendosur në fund. Unë kam bërë ekspozitën e parë me Arben Bajon, në atë sallë në kohë kur Moikom Zeqo ishte drejtor i Muzeut”.

E një vend të veçantë në ekspozitë zë edhe babai i tij, shkrimtari i njohur, Faslli Haliti, që vjen si një homazh i bukur i artit të tij që i biri i bën pas ndarjes nga jeta.

Piramidë portretesh

“Dhe më pas përfundon në një piramidë portretesh si për të thënë që ndonjëherë jemi dakord me sistemin vertikal dhe më atë horizontal dhe mbyllet pikërisht me një vend që ishte bosh, me babin tim, i cili në një moment të caktuar pasi u largua, thotë që “nuk u vaksinova”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë