Politike

Stërvitja ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci mërzit Serbinë: Kërcënim për sigurinë në Ballkan!

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Serbisë ka dënuar ashpër takimin trilateral të përfaqësuesve të Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës, i cili, sipas saj, synon thellimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ushtarak, përfshirë plane dhe aktivitete konkrete në fushën e sigurisë.

Në reagimin zyrtar thuhet se veprime të tilla përbëjnë shpërfillje të hapur dhe shkelje të rëndë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, si dhe të Marrëveshjes Ushtarako-Teknike të Kumanovës.

“Sipas kësaj rezolute, Kosova dhe Metohia është pjesë integrale e Republikës së Serbisë, nën administrim të përkohshëm të OKB-së, ndërsa KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur legjitime në territorin e Kosovës dhe Metohisë, me mandat të përcaktuar qartë”, thuhet në deklaratë.

Ministria shton se përpjekjet për të institucionalizuar dhe forcuar më tej Forcën e Sigurisë së Kosovës përmes marrëveshjeve ushtarake rajonale përbëjnë një goditje të drejtpërdrejtë ndaj rendit juridik ndërkombëtar dhe një kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin në rajon.

“Sipas vlerësimit tonë, lëvizje të tilla kanë potencialin të prodhojnë pasoja afatgjata për sigurinë dhe të destabilizojnë situatën në Ballkanin Perëndimor”, theksohet në reagim.

Ministria e Mbrojtjes e Serbisë e konsideron këtë bashkëpunim ushtarak si faktor presioni dhe sfidë sigurie për Serbinë dhe për popullin serb në Kosovë. Në përfundim, Beogradi zyrtar deklaron se mbetet i përkushtuar ndaj ruajtjes së paqes, por nuk do të lejojë cenimin e interesave të tij jetike kombëtare dhe të mbrojtjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë