Kosova

Stërvitja ushtarake serbo-ruse, Vjosa Osmani e shqetësuar: Destabilizon rajonin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është e shqetësuar për mbështetjen e Serbisë për Rusinë, që sipas saj po forcon ndikimin e Kremlinit në stërvitjet e përbashkëta ushtarake në rajonin e Ballkanit.

Duke marrë shkas nga pjesëmarrja e fundit e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me ushtrinë e amerikane në Tiranë, Osmani vëren lëvizjen e fundit të rusëve që kanë nisur një stërvitje ushtarake të përbashkët pranë Beogradit, si për të dëshmuar vendosmërinë e Moskës për ruajtjen e influencës së vet në rajon.

“Derisa Kosova dhe vendet e tjera në rajon po marrin pjesë në stërvitjet e përbashkëta ushtarake me ushtrinë e SHBA-ve (Defender21), Serbia po forcon ndikimin e Kremlinit dhe po destabilizon rajonin duke organizuar një stërvitje të përbashkët me ushtrinë ruse”, ka shkruar Osmani në Twitter.

Forca e Sigurisë së Kosovës, po zhvillon operacione në kuadër të stërvitjes me amerikanët, e njohur si “Defender Europe 21”. Janë 339 pjesëtarë të forcës të përfshirë në “Defender Europe 21” që në Kosovë ka filluar më 17 maj.

Bëhet fjalë për stërvitjen më të madhe ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga Lufta e Dytë Botërore, i cili këtë vit ka përfshirë edhe Kosovën. Në stërvitjen “Defender Europe 21” marrin pjesë më shumë se 28 mijë trupa nga 26 shtete.

Shqipëria ka rol kryesor në këtë stërvitje, si vend mikpritës dhe stërvitor, duke vënë në dispozicion disa baza ushtarake ajrore, detare dhe tokësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë