Keshilla

Stërvitja fizike ndryshon formën dhe madhësinë e zemrës, kujdesi që duhet të kenë ata që ushtrohen rregullisht

Nga William Cornwell- Ushtrimet fizike, janë cilësuar prej kohësh nga mjekët dhe zyrtarët e shëndetit publik si një mënyrë e rëndësishme për të ruajtur shëndetin gjatë gjithë jetës së një njeriu. Ato e përmirësojnë gjendjen e përgjithshme fizike, ndihmojnë në ndërtimin e muskujve dhe forcimin e kockave, e reduktojnë rrezikun e sëmundjeve kronike, përmirësojnë humorin dhe ngadalësojnë rënien fizike.

Po ashtu, mund të zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e zhvillimit të problemeve që ndikojnë negativisht në shëndetin e zemrës, si presioni i lartë i gjakut, kolesteroli i lartë dhe obeziteti. Por nga ana tjetër edhe volumi i madh i ushtrimeve gjatë gjithë jetës mund ta dëmtojë zemrën, duke çuar në zhvillimin e një gjendjeje të quajtur “zemra e atletit”.

Si drejtor i kardiologjisë sportive në Kampusin Mjekësor të Universitetit të Kolorados, SHBA, pyetem shpesh se sa dhe çfarë lloj ushtrimi është i nevojshëm për të marrë përfitimet maksimale nga ushtrimet fizike. Po ashtu, shumë njerëz me pyesin mbi rreziqet e stërvitjes dhe çfarë ndodh nëse ushtroheni shumë.

Shoqata Amerikane e Zemrës, rekomandon në përgjithësi 150 minuta ushtrime me intensitet të moderuar, si ecja e shpejtë, ose 75 minuta ushtrime me intensitet të fuqishëm, si vrapimi, çdo javë. Po ashtu rekomandon ushtrime të paktën 2 herë në javë për forcimin e muskujve.

Kur njerëzit i tejkalojnë këto udhëzime, zemra mund të rimodelojë veten në kundërpërgjigje.

Ajo nis të ndryshojë madhësinë dhe formën e saj. Kjo mund të sjellë edhe ndryshimin e mënyrës së funksionimit të saj. Këto ndryshime në strukturën dhe funksionin e zemrës tek njerëzit që merren me nivele të larta ushtrimesh, quhen “zemra e atletit”.

Kjo e fundit nuk shkakton domosdoshmërisht probleme, por tek disa njerëz mund të rrisë rrezikun e problemeve të caktuara të zemrës. Për të kuptuar se si ndikon në zemër ushtrimi fizik, është e rëndësishme të mbani parasysh se çfarë lloj ushtrimi po bëni.

Në përgjithësi, ato ndahen në 2 kategori të mëdha:dinamike dhe statike. Ushtrimet dinamike, si vrapimi apo futbolli, kërkojnë që zemra të pompojë një sasi më të madhe gjaku, krahasuar me sasinë që i dërgohet trupit në gjendje qetësie, në mënyrë që të përballojë aktivitetin e shtuar fizik.

Për shembull, kur vraponi, sasia e gjakut që zemra pompon në trup mund të rritet nga 3-5 herë në krahasim me atë në gjendje qetësie. Nga ana tjetër, ushtrimet statike, si ngritja e peshave, stërvitja në palestër apo ngjitja në një shkëmb, kërkojnë që trupi të përdorë muskujt skeletorë për të shtyrë ose tërhequr peshat e rënda.

Ndërsa zemra pompon më shumë gjak në muskujt skeletorë, që angazhohen më shumë gjatë këtyre aktiviteteve, këto lloj ushtrimesh varen nga aftësia e muskujve për të lëvizur peshën. Disa ushtrime, si kanotazhi apo çiklizmi, janë të dyja shumë dinamike dhe shumë statike, sepse ato kërkojnë që zemra të pompojë sasi të mëdha gjaku, teksa njëkohësisht kërkon një sasi të madhe të forcës muskulore për ta mbështetur këtë aktivitet fizik.

Është e rëndësishme të bëhet ky dallim midis ushtrimeve dinamike dhe statike, sepse me kalimin e kohës zemra përshtatet ndryshe sipas llojit të ushtrimit që kryeni. Ushtrimi dinamik e rrit vëllimin e gjakut që pompohet në zemër, dhe kjo mund të shkaktojë zmadhimin apo zgjerimin e zemrës me kalimin e kohës. Ndërkohë ushtrimi statik rrit sasinë e presionit në zemër, dhe po ashtu mund të shkaktojë zmadhimin e zemrës me kalimin e kohës, por përmes trashjes së mureve të saj.

Kur mund të preket nga kjo dukuri? Ata që i tejkalojnë udhëzimet e ekspertëve, si për shembull ushtrimi për më një se 1 orë në shumicën e ditëve të javës. Zakonisht “zemra e atletit” vërehet tek sportistët që garojnë rregullisht në aktivitete si maratona ose ngjarje të tjera, të cilat kërkojnë një aktivitet fizik intensiv për një kohë të gjatë.

Shumë prej tyre ushtrohen disa orë në ditë, dhe më shumë se 12-15 orë në javë. Për shembull tek vrapuesit zemra rimodelohet në përgjigje të nevojës për të pompuar një vëllim shumë më të lartë gjaku. Dhomat e zemrës zgjerohen për të mbajtur dhe pompuar më shumë gjak.

Tek peshëngritësit, zemra rimodelohet duke u zmadhuar në përgjigje të rritjes së presionit të ushtruar në zemër. Stërvitja i bën mirë trupit, dhe “zemra e atletit” buron nga një angazhim i vazhdueshëm ndaj një aktiviteti që promovon shëndet të mirë. Por prej saj mund të ketë disa probleme.

Së pari, sportistët me zemra të zmadhuara janë më të rrezikuar të zhvillojnë fibrilacion atrial, që shoqërohet me ritme jonormale të zemrës, diçka që zakonisht ndodh tek të moshuarit ose njerëzit me presion të lartë të gjakut apo insuficencë kardiake .Ritmet jonormale të zemrës janë shqetësuese, pasi ato mund të çojnë në një goditje në tru.

Janë të shumta arsyet pse fibrilacioni atrial shfaqet tek sportistët. Një atrium i zgjeruar - dhoma e sipërme e zemrës - mund të enjtet dhe të shkaktojë shkatërrimin e indeve në një zonë, duke rritur rrezikun e fibrilacionit atrial. Po ashtu, stresi dhe faktorët mjedisorë mund të kombinohen së bashku për të rritur rrezikun e aritmisë.

Kalcifikimi i Arteries Koronare, CAC, përbën një tjetër shqetësim në mesin e sportistëve elitarë. CAC që ndodh zakonisht tek të moshuarit apo tek ata me faktorë rreziku për sëmundjen e arterieve koronare, e rrit rrezikun për të pasur një atak në zemër ose goditje në tru.

Vitet e fundit, mjekët kanë përdorur testet imazherike për të monitoruar grumbullimin e kalciumit në arteriet e pacientëve të tyre, në përpjekje për të përcaktuar rrezikun e tyre të sulmit në zemër ose goditje në tru me kalimin e kohës. Nuk është plotësisht e qartë arsyeja pse sportistët zhvillojnë kalcifikim të arterieve koronare.

Për fat të mirë, nuk duket që ata të kenë një rrezik të shtuar të sulmit në zemër. Madje edhe ata me nivele shumë të larta të CAC. Për shembull, një studim i gjerë me thuajse 22.000 pjesëmarrës, zbuloi se edhe ata që angazhoheshin në volume të mëdha ushtrimesh fizike dhe kishin nivele të larta të CAC, nuk kishin një rrezik të shtuar të vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare gjatë një dekade që ishin mbajtur nën vëzhgim.

Disa njerëz që merren rregullisht më ushtrim fizike, janë të shqetësuar me të drejtë për grumbullimin e kalciumit në arteriet e tyre të zemrës, dhe mund të pyesin nëse duhet të marrin apo jo medikamente si aspirina ose statina. Por rreziqet ndryshojnë nga personi në person, dhe cilido që shqetësohet për CAC duhet të konsultohet me mjekun e tij.

Por edhe pse sportistët mund të jenë me të rrezikuar të preken nga sindroma e “zemrës së atletit”, ushtrimet fizike mbeten padyshim një nga mënyrat më të mira për të pasur një mënyrë jetese të shëndetshme. Për shembull, nëse dikush nuk ushtrohet vazhdimisht, zemra e tij do të ngurtësohet dhe nuk do të pompojë gjak si dikur.

Në përgjithësi, ushtrimet rutinë gjatë gjithë moshës madhore e inkurajojnë zemrën të mbetet e fortë dhe fleksibël edhe në pleqëri. Edhe nëse dikush do të niste të ushtrohej rregullisht në të 40-at deri në të 50-at, është e mundur që të zhduken disa nga efektet e plakjes sedentare.

Nuk është asnjëherë vonë për të filluar ushtrimet fizike. Ndjekja rutinë e udhëzimeve të ushtrimeve, mund të ndihmojë në promovimin e shëndetit fizik dhe mendor dhe të ndihmojë zemrën tuaj të qëndrojë e re gjatë gjithë jetës tuaj.

*Shënim:William Cornwell, profesor i asociuar i kardiologjisë në Shkollën e Mjekësisë në  Universitetin e Kolorados, SHBA.

Burimi: The Conversation. Përshtati në shqip: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë