Drejtësia

‘Sterilizimi’, SPAK kërkon kalimin në gjyq, të akuzuarit pushim të çështjes. Beqaj nuk pranoi gjykim të shkurtuar

Gazeta Si - Vendimi për dosjen e "Sterilizimit" nëse çështja do të kalojë për gjykim ose jo, është shtyrë për në 29 dhjetor, pasi ka përfunduar qëndrimi i të gjithë të akuzuarve pas një seance maratonë. Në këtë datë do të jepet qëndrim nga gjykata për kërkesat e ndërmjetme dhe për gjyqin paraprak.

Në gjyq pati debate nga ana të pandehurve, të cilët ngritën pretendime në lidhje me provat e prokurorisë. Biznesmeni Ilir Rrapaj, mohoi akuzat, por pranoi njohjen me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Pas shumë debatesh mes palëve, në përfundim të pandehurit kërkuan pushim të çështjes ose kthim për hetime në SPAK, por në rast se gjykata vendos kalimin e çështjes për gjykim të pandehurit kërkuan që të gjykohen me procedurë të shkurtuar.

I vetmi që kërkoi gjykim të zakonshëm ishte ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Po ashtu, gjatë seancës së kësaj të enjteje, Beqaj ka kërkuar heqjen e masës së ndalimit për të dalë jashtë vendit që e ka në këtë dosje, duke u shprehur me fjalët: “Meqë ia hoqe Berishës, ma hiq edhe mua”. Por gjykata e rrëzoi kërkesën.

SPAK tha se, nëse pranon gjykimin e shkurtuar të të gjithëve, atëherë sugjeron ndarjen e çështjes, pra ish- ministri Beqaj të gjykohet veçmas nga 8 të akuzuarit e tjerë.

Për kërkesat e ndërmjetme, si plotësimi i hetimeve dhe të tjerat dhe nëse do pranojë gjykimin e shkurtuar, vendimi jepet më 29 dhjetor në orën 09:30.

Ish-ministri Beqaj është arrestuar për dosjen e fondeve të SASPAC me urdhër të SPAK-ut në muajin korrik, kur dhe GJKKO e la në burg, kurse për çështjen e "Sterilizimit" po ndiqet në gjendje të lirë.

Në këtë dosje ka 8 persona nën akuzë, mes tyre edhe biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë