Gazeta Si- Seanca paraprake për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqajn dhe të pandehurit e tjerë për dosjen e “Sterilizimit” është shtyrë këtë të hënë për shkak të mungesës së avokatit Klodian Skënderi.
Mësohet se seanca e radhës pritet të zhvillohet më datë 10 qershor, në orën 09:00.
Dy ditë më parë, Beqaj doli nga zyrat e SPAK-ut në Tiranë i ngarkuar me një kuti të madhe në duar dhe një valixhe me dokumente, ku mori aktet hetimore të dosjes së “Sterilizimit” për të cilën akuzohet për shpërdorim detyre.
Më 30 mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë.
Mes tyre është dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Ndaj këtij të fundit, prokuroria ka ngritur veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë euro, në vitin 2015.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.