Gazeta Si – Seanca për çështjen e “Sterilizimit” është shtyrë për në datën 25 qershor, ora 13:00 dhe shkak u bë mungesa e disa prej të pandehurve, por dhe e avokatëve.
Në këtë seancë, pritej të jepej pretenca për të pandehurit Klodian Rrjepaj, Ilir Rrapaj, Matilda Serjani, Samir Kadiu, Petraq Mersini, Arben Gjata, Genci Byrazeri, Naile Ajazi.
Në seancën e zhvilluar sot, ishte e pranishme vetëm mbrojtja e të pandehurës Marsela Serjani, ndërkohë që mungonte mbrojtja për tre të akuzuar të tjerë: Petrit Mersini, Saimir Kadiu dhe Naile Abazi. Për shkak të kësaj situate, trupi gjykues vendosi shtyrjen e procesit dhe caktoi datën 25 qershor për seancën e radhës, ku pritet të lexohet pretenca nga prokuroria për tetë të akuzuarit.
Sakaq, në këtë çështje është përfshirë dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ndërsa më 28 maj, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, vendosi që ai të gjykohet veçmas me procedurë të zakonshme.
Nga ana tjetër, GJKKO, më 28 maj, i ka rrëzuar kërkesën e Klodian Rrjepaj dhe Ilir Rrapaj për shpalljen e moskompetencës dhe dërgimin e saj në një gjykatë tjetër, për shkak se kjo çështje është kompetencë e SPAK-ut.
Ish-ministri Beqaj, por dhe të pandehurit e tjerë akuzohen për disa vepra penale, si korrupsion, shkelje të barazisë në tendera, mashtrim, mos deklarim dhe fshehje të pasurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.