Gazeta Si – Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, kërkon që të GJKKO të pushojë çështjen ndaj tij. Ai foli në seancën gjyqësore, ku kërkoi të shpallet pavlefshmëria e vendimit të gjykatës që pranoi për gjykim dosjen hetimore.
Beqaj po ashtu ka kërkuar pafajësinë, pasi pretendon se nuk ka lidhje me dosjen e “Sterilizimit”. Ai ka kontestuar edhe vendimin e 23 janarit 2025, duke thënë se përmban të dhëna dhe informacione të rreme.
Sipas ish-ministrit, i njëjti fakt penal në dosjen e SPAK është hetuar nga Prokuroria e Tiranës dhe ky organ i akuzës e ka pushuar çështjen.
“Duke qenë se nuk ka një akuzë të formuluar nga organi i akuzës kërkoj, që ju ta pushoni që tani këtë çështje. Vendimi i 23 janarit 2025 duhet të deklarohet akt i pavlefshëm. Unë duhet të mbrohem për ‘vjedhje’, ndërkohë që nuk ka asnjë shifër vjedhjeje. Unë jam akuzuar veç për shpërdorim detyre”, tha ai.
Sipas Beqajt, çështja për të cilën ai hetohet nuk është për sterilizimin, pasi është vetëm një nga gjashtë komponentët e kontratës, por për instrumentet kirurgjikale. Ankesa ka edhe për mënyrën si i referohen dosjes.
“E dyta, i referohen dosjes ‘Ilir Beqaj dhe të tjerët’. Unë jam i fundit në kërkesën e gjykatës. Pse duhet të thuhet ‘Ilir Beqaj dhe të tjerët’. Këta të tjerët i bie sikur janë këtu prej meje. Unë synoj pafajësinë dhe kjo është nominale, jo”, u shpreh Beqaj.
Gjykata vendosi të pranojë për gjykim dosjen e sterilizimit më 23 Janar të këtij viti. Të pandehur janë marrë zyrtarisht: Ilir Beqaj, ish-ministër i Shëndetësisë, ish-zv/ministri Klodian Rrjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, të cilët gjykohen për veprën penale vjedhje duke shpërdoruar detyrën dhe grup kriminal.
Për Gjykatën e Posaçme, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe ish-zëvendësi i tij Klodian Rjepaj frynë kostot e shërbimit të sterilizimit në masën e 56.4% me qëllim përvetësimin dhe vjedhjen e fondeve të Ministrisë së Shëndetësisë.
Në vendimin e gjyqtares së seancës paraprake, analizohet çdo pikë e kontratës së lidhur në vitin 2015 mes Ministrisë dhe koncensionarit, ku konkludohet se kontrata është negociuar në favor të kompanisë fituese.
Gjykata, shton se me firmën e ish-ministrit, shteti është detyruar të jetë palë e një kontrate nga e cila nuk fiton asgjë.
Ndërkohë Ilir Beqaj është i akuzuar edhe për abuzimet me fondet e Bashkimit Europian gjatë kohës kur drejtonte Agjencinë e Koordinimit të Ndihmës së Huaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.