Gazeta Si – Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka mbyllur shqyrtimin gjyqësor sa i përket dosjes “Sterilizimi”, ku janë marrë të pandehur 9 persona, mes tyre ish-zyrtarë, mjekë dhe biznesmenë.
Pasi ka përfunduar mbrojtja e të pandehurve, GJKKO pritet ta shpallë vendimin më datën 4 mars, në orën 15:30.
Një prej të pandehurve, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj po gjykohet i veçuar nga 8 të pandehurit e tjerë, pasi nuk kërkoi gjykim me procedurë të shkurtuar.
Në 25 qershor 2025, SPAK kërkoi nga 10 vite burg për ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenin Ilir Rrapaj, por në rast se shpallen fajtorë, do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe dënimi u konvertohet në 6 vjet e 8 muaj burg.
Struktura e Posaçme Antikorrupsion kërkoi 3 vjet e 6 muaj burg për 3 ish-zyrtarët, Marsela Serjanaj, Sajmir Kadiu dhe Petref Mersini.
Të pandehurit Serjanaj dhe Kadiu nga gjykimi i shkurtuar dënimi i konvertohet 2 vjet e 4 muaj burg, ndërsa Mersinit 4 vjet shërbim prove.
Për mjekun Arben Gjata, SPAK kërkoi që dënimi me 1 vit e 4 muaj burg t’i konvertohet në 3 vite shërbim prove. Po ashtu edhe për Genc Byrazeri dhe Naile Ajazi u kërkua 2 vjet shërbim prove.
Për çështjen e “Sterilizimit”, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, akuzohet për “vjedhje, duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Ai arrestua më 4 korrik 2024 dhe ndodhet prej më shumë se një viti i izoluar në paraburgimin e Durrësit, pas hetimeve të SPAK-ut ndaj tij për një tjetër çështje, për akuzat e “korrupsionit pasiv”, në cilësinë e ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë, SASPAC, në lidhje me fondet e Bashkimit Europian.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje