Drejtësia

‘Sterilizimi’ / Rëndohen akuzat ndaj Ilir Beqajt, Klodian Rrjepajt dhe Ilir Rrapajt: Vjedhje dhe grup kriminal

Gazeta Si – SPAK ka pranuar kërkesën e gjyqtares paraprake, Flojera Davidhi, për të rënduar akuzat ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, ish-zëvendësit të tij, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj, nën hetim për aferën e “Sterilizimit”.

Prokurorët Ened Nakuçi dhe Edvin Kondili, pasi u tërhoqën për 30 minuta, vendosën të pranojnë kërkesën e gjyqtares së seancës paraprake Flojera Davidhi në GJKKO, për rikuafilimin e veprës në “vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.

Tashmë, avokatët kanë 10 ditë kohë për të kundërshtuar akuzat e “vjedhjes për shpërdorim detyre, duke bashkëpunuar si grup i strukturuar kriminal” për tre të pandehurit. Në datën 9 janar, është caktuar senaca e radhës, ku avokatët e tre personave do të bëjnë mbrojtjen.

Sipas të njëjtave burime, Prokuroria thotë se pranon të ngrejë akuzat ashtu siç i sugjeron gjykata, pavarësisht se mendon se akuzat e ngritura prej SPAK-ut ishin të drejta.

Më herët, SPAK kishte ngritur akuzat penale të “shpërdorimit të detyrës” për ish-ministrin Beqaj lidhur me procedurat e dhënies së koncesionit me vlerë 100 milionë euro për “Sterilizimin”, në vitin 2015.

Ndërsa për Rrapajn dhe Rrjepajn, ngriti akuzën e “falsifikimit të dokumenteve”, “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Më 30 Mars të këtij viti, SPAK mbylli hetimet për dosjen e koncesionit të “Sterilizimit” dhe dërgoi në gjykatë dosjen ndaj 9 personave të vënë nën akuzë, mes tyre dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Nga hetimet ka rezultuar se ish-ministri nuk ka evituar konfliktin e interesit me biznesmenin Ilir Rrapaj, fituesin e koncesionit me vlerë 100 milionë euro dhe nuk ka kërkuar studim të detajuar për nevojat e sterilizimit në mënyrë që të zgjidhte një variant më pak të kushtueshëm.

Në këto kushte, SPAK ka vënë në akuzë edhe Ilir Rrapajn në cilësinë e aksionerit të kompanisë dhe ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, të cilët prej gushtit 2023 ndodhen në burg.

Ndërkohë, në korrik të ketij viti, Beqaj u arrestua me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, në lidhje me një tjetër dosje hetimore, atë për abuzimin me fondet e Agjencisë së Menaxhimit të fondeve të Bashkimit Europian.

Kjo çështje, përveç Beqajt, la në qeli Ermal Kurtulajn dhe Alfred Nikollaj. Ndërsa për Elton Martinin, gjykata caktoi masën “arrest në shtëpi”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë