Gazeta Si – Komisioni hetimor për Shëndetësinë për çështjen e koncesionit të “Sterilizimit”, ka thirrur si dëshmitarë sot biznesmenin Ilir Rrapaj, ministren Anila Denaj, Altin Fanin, Umbro Staccini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli.
Biznesmeni Ilir Rrapaj dhe ortaku i tij italian Umbro Staccini, janë dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’, që në vitin 2015 fituan koncesionin prej 100 milionë euro të sterilizimit.
Nga ana tjetër, ministrja Denaj në atë kohë ka mbajtur postin e drejtoreshës së Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe mësohet se nuk ka qenë dakord për çmimet e larta të sterilizimit teksa ka paraqitur dhe ankesë.
Tre italianët kanë refuzuar për herë të tretë dhënien e dëshmisë tek ‘Sterilizimi’, për shkak të obligimeve familjare dhe të punës.
Kryetarja e Komisionit hetimor të sterilizimit Albana Vokshi në nisje të seancës njoftoi se 3 shtetasit italianë që ishin thirrur sot për të dëshmuar kanë refuzuar thirrjen për të qenë pjesë e këtij komisioni për shkak të angazhimeve personale.
Vokshi thekson se 3 italianët kanë refuzuar për 3 herë pjesëmarrjen e tyre për të dëshmuar. Më tej Vokshi thotë se tani do duhet që të veprojë policia e shtetit që të mundësojë ardhjen e tyre në Komisionin hetimor parlamentar.
“Umbro Staçini, Elisabetta Anzanello dhe Giorgio Tardioli janë përgjigjur me email për shkak të angazhimeve personale dhe pune në Itali dhe jashtë Shqipërisë edhe kohës së shkurtër të njoftimit, i kemi thirrur 3 herë e kanë të pamundur të organizojnë udhëtimin drejt Shqipërisë. Është hera e tretë që refuzojnë. Dëshmia e 3 shtetasve është kyçe për hetimin parlamentar. Janë jo vetëm aksionet në koncesionin e sterilizimit. Dy prej tyre kanë marrë edhe miliona lek me konsulencë private. Kanë dhe kompani nënkontraktuese. Marrin paratë e shqiptarëve nga të gjitha xhepat. Parashikohet thirrja e tyre duke njoftuar policinë dhe policia të sigurojë praninë e tyre në komision”, tha Vokshi.
Ndërkohë biznesmeni Ilir Rrapaj është dërguar me pranga në duar në Komision, direkt nga burgu.

Pas nisjes së dëshmisë, Vokshi e pyeti Rrapajn nëse e njihte ish zv/ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj.
“Kam 15 muaj që ndaj të njëjtën rezidencë. E tani mund të them që edhe e njoh. Nuk kam pasur asnjë lloj miqësie e asnjë lloj njohje më parë”, u përgjigj biznesmeni.
Ai mohoi edhe njohjen me ish-ministrin Ilir Beqaj duke thënë se për herë të parë e ka takuar në një organizim në nëntor të 2023.
“Ilir Beqajn e kam njohur se kush ishte si personazh publik dhe nuk kam pasur kurrë miqësi. Për herë parë e kam takuar në një aktivitet të thirrur nga qeveria shqiptare, një përshëndetje. Aty kam pasur rastin që fillimisht t’i njoh se kush janë pasi aty kam takuar për herë të parë edhe Edi Ramën”.
Sa i përket udhëtimeve të përbashkëta me ish ministrin Ilir Beqaj dhe ish zv,ministrin Klodjan Rjepaj, avokati i Ilir Rrapaj ndërhyri ndaj kryetares së komisionit hetimor të Sterilizimit duke thënë të mos bëhen pyetje sugjestionuese. Sa i përket udhëtimit për në Prishtinë me makinën e ministrisë, Rrapaj sqaroi në komision se kjo makinë u vu në dispozicion të disa profesorëve italianë me të cilët ishte për një takim zyrtar me rektorin e Universitetit të Prishtinës.
“Udhëtimi në Kosovës ka qenë i programuar për tu takuar me rektorin e universitetin e Prishtinës. Po i referohem makinës së zv.ministrit. Ministria e Shëndetësisë u tregua xhentile dhe na dha makinën për të shkuar në Kosovë. Në Prishtinë u bë një takim zyrtar”, tha Rrapaj.
Ndërsa për fluturimet me avion, Rrapaj tha se ishin takime zyrtare që u bënë për të forcuar marrëdhënien e vendit tonë me rajonin e Umbrias.
“Janë vetëm 3 raste, kam lëvizur vetëm një herë me Ilir Beqajn dhe dy herë me Klodian Rrjepajn. Kanë qenë takime zyrtare por nuk e mbaj mend axhendën”, tha Rrapaj.
Pas kësaj, Vokshi tha se këto fluturime janë bërë në 2014, kur ishte hapur procesi i sterilizimit ndërkohë që “më parë deklaruat se nuk i njihje asnjërin”.
Koncensioni 10 vjeçar me vlerë afro 100 milionë dollarë iu dha kompanisë ‘SaniService’, një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj me kompaninë e tij ‘Investital LLC’ është zotëruesi kryesor i aksioneve, krahas kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l” të Staccinit.
Biznesmeni, i arrestuar që në gusht të 2023, është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për mashtrim me pasoja të rënda, në dosjen e koncensionit të “Sterilizimit”, të cilin e fitoi me kompaninë Saniservis. 40% të aksioneve të kompanisë Saniservis dhe 2 shoqëri të tjera tregtare nën administrimin e Ilir Rrapajt, njëra prej tyre në Kosovë, u sekuestruan nga gjykata me kërkesë të SPAK.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme, u bllokuan të gjitha pasuritë që këto 3 shoqëri kishin, mes të cilave dy llogari bankare me vlera mbi 285 mijë euro dhe 113 mijë lekë.
Në sekuestro u vunë edhe 13 makina dhe një apartament në Vlorë. SPAK thotë se nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ilir Rrapaj, nën administrimin e Saniservis fitoi në kushte të konfliktit të interesit, koncensionin e “Sterilizimit” të mjeteve mjekësore në 2015.
Prokuroria gjeti lidhje miqësore mes Rrapajt dhe ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë në atë kohë, Klodian Rjepaj, i arrestuar si dhe udhëtime dhe kontakte me ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj (i arrestuar për shpërdorim të fondeve të SASPAC dhe nën hetim me masë “detyrim paraqitje” për “Sterilizimin”).
Për hetuesit, ata duhet të kishin shmangur veten nga procedurat e koncensionit të “Sterilizimit”, por nuk e kanë bërë duke favorizuar biznesmenin. Nën hetim për këtë dosje janë gjithashtu edhe 6 ish-zyrtarë të tjerë.
Klodian Rjepaj u mor në pyetje nga komisioner hetimor për shëndetësinë më 20 shtator, ndërsa pritet të thirret në një ditë tjetër edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në burg për çështjen “SASPAC” dhe në hetim për “Sterilizimin”.
Dëshmitarët që do thirren sot në komision
Ora 9.30 – Ilir Rrapaj
Ora 14.00 – Anila Denaj
Ora 16.00 – Altin Fani
Ora 18.00 – Umbro Staccini
Ora 19.00 – Elisabetta Anzanello
Ora 20.00 Giorgio Tardioli
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




