Gazeta Si – Në gjyqin e radhës për çështjen “Sterilizimi”, Ilir Beqaj kërkoi më shumë kohë që të dëgjonte audiot e seancave për të cilat kërkoi t’i krijoheshin kushtet në burg.
Ish-ministri i Shëndetësisë, gjithashtu kërkoi edhe kompjuter e printer në qeli për të përgatitur mbrojtjen e tij.
Por gjatë seancës, Beqaj nuk ngurroi të ironizonte Partinë Socialiste dhe Endri Shabanin për zgjedhjen e këtij të fundit si Avokat i Popullit.
Beqaj tha se nuk i vjen habi nga fakti që PS votoi Shabanin për këtë post, edhe pse është ai njeriu që ka dorëzuar kallëzimin në SPAK për koncesionin e “Sterilizimit”.
“Kallëzuesi im është tani Avokat Populli. Ai duhet të jetë zëri i qytetarëve. Nuk më bën çudi që PS ka votuar për Avokat Populli atë që ka kallëzuar projektet e partisë”,- mësohet të jetë shprehur Beqaj.
Sipas Beqajt, Shabani ka bërë deklarime publike për të. “Ai është lumturuar pse jam në pranga. Ka thënë që e dinte se çështja ishte pushuar, por bëri kallëzimin. Ata që e zgjodhën, e dinë vetë. Unë personalisht me të, do përballem këtu në proces. Ajo që më habiti, nuk ishte vota. Ishte puthja. Jo-njerëzore para atyre deputetëve. Deputetë që kanë 4 muaj në Parlament dhe deputetë që kanë aty 20 vjet. Të gjithë njësoj u ndezën nga puthja. Pasuan duartrokitje ngazëlluese, të sinkronizuara, me intensitet sikur cili ligj i rëndësishëm të ishte miratuar. Ose ndoshta këta 18 muaj paskam humbur unë sensin e realitetit”, tha Beqaj i cili më pas u ndërpre nga gjykata për të mos vijuar më tej për shkak se deklarimet nuk kishin lidhje me procesin.
Ndërkohë seanca e radhës u shty më 15 janar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




