Bota

Statusi i mbrojtjes pezullohet? Pse rreth 350 mijë venezuelianë rrezikojnë të dëbohen nga SHBA!

Vendimi për të përfunduar Statusin e Mbrojtur të Përkohshëm për më shumë se 300,000 njerëz, sinjalizon se presidenti Trump do të vazhdojë të çmontojë një program që synon të mbrojë emigrantët nga vendet potencialisht të rrezikshme

Gazeta Si – Gazeta amerikane “New York Times” thotë se ka parë një dokument qeveritar të pa bërë ende publik, i cili thotë se administrata e re e Donald Trump synon të revokojë statusin e përkohshëm të mbrojtjes për qytetarët venezuelanë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Vendimi përfshin rreth 350 mijë njerëz dhe i ekspozon ata ndaj dëbimit që mund të ndodhë në javët në vijim.

Dokumenti është firmosur nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi L. Noem. Thuhet se Venezuela nuk i plotëson më kushtet e lejeve të Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme (TPS) të dhënë në vitin 2023.

Lejet e Statusit të Mbrojtjes së Përkohshme, i lejojnë njerëzit të qëndrojnë në Shtetet e Bashkuara nëse nuk mund të kthehen të sigurt në vendin e tyre të origjinës për shkak të konflikteve të armatosura të vazhdueshme, fatkeqësive mjedisore ose kushte të tjera të jashtëzakonshme.

Ndërkohë, kjo leje mbron nga dëbimi dhe i lejon njerëzit të punojnë ligjërisht në Shtetet e Bashkuara. Pak orë para publikimit të artikullit të “New York Times”, Trump kishte deklaruar se Venezuela – e udhëhequr nga presidenti Nicolás Maduro, i cili pretendoi fitoren në zgjedhjet në korrik 2024, pavarësisht mashtrimit të dokumentuar – kishte rënë dakord të mirëpresë emigrantët venezuelianë të dëbuar nga SHBA.

Administrata e Biden, duke përmendur varfërinë, krizën ekonomike dhe politike që po ndodh në Venezuelë, kishte zgjatur mbrojtjen për 18 muaj të tjerë për qytetarët venezuelas që i kishin marrë ato në vitin 2023 dhe për rrjedhojë deri në vjeshtën e vitit 2026.

Administrata e re e udhëhequr nga Trump, në ndryshim ai vendim, pohoi, përsëri sipas dokumentit të cituar nga “New York Times”, se në vend ka pasur “përmirësime të konsiderueshme në sektorë të ndryshëm si ekonomia, shëndeti publik dhe krimi”.

Gjithashtu, shtohet se është kundër interesit kombëtar që të lejohen shtetasit venezuelianë të qëndrojnë përkohësisht në Shtetet e Bashkuara.

Dhe kjo do të thotë se 60 ditë pas zyrtarizimit të vendimit, qytetarët venezuelianë që morën mbrojtje të përkohshme në vitin 2023, do ta humbasin atë.

Venezuelianët janë grupi më i madh të cilit i është dhënë statusi i përkohshëm i mbrojtur në Shtetet e Bashkuara.

Abby Maxman, presidente dhe CEO e “Oxfam America”, një konfederatë ndërkombëtare e organizatave të përkushtuara për reduktimin e varfërisë në mbarë botën, tha se përfituesit e TPS janë tashmë të integruar në Shtetet e Bashkuara, duke punuar në sektorët e kujdesit shëndetësor, ndërtimit dhe bujqësisë dhe se duke revokuar mbrojtjen e tyre, “është jo vetëm çnjerëzore, por edhe katastrofike ekonomikisht”.

Maxman më pas e quajti vendimin e Trump “një sulm të drejtpërdrejtë ndaj familjeve dhe komuniteteve që kanë kërkuar siguri dhe stabilitet në Shtetet e Bashkuara”.

Vendimi, sipas “New York Times”, tregon se si Trump synon të vazhdojë programin e filluar gjatë mandatit të tij të parë, kur ai kërkoi t’i jepte fund statusit të përkohshëm të mbrojtur për emigrantët nga Sudani, El Salvador dhe Haiti, ndër të tjera.

Sidoqoftë, në atë kohë, Trump u pengua nga gjykatat federale, të cilat ngritën kundërshtime për mënyrën se si presidenti i ktheu mbrojtjet.

Trump e kishte bërë emigracionin një nga temat kryesore të fushatës së tij elektorale dhe mes dhjetëra urdhrave ekzekutivë që presidenti i ri kishte nënshkruar në ditën e inaugurimit të tij, disa nga më të rëndësishmet që kishin të bënin me imigracionin.

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë