Nga Gazeta ‘SI’ – Shifrat e INSTAT tregojnë se në vitin 2024 në Shqipëri ka pasur më pak vepra penale, -3.5% por një rritje të numrit të autorëve +1.4%.
Gjatë 2024-s janë regjistruar 17.761 persona të dëmtuar me rritje 4.3%. Ndërsa femrat përbëjnë 38,8 % të kësaj kategorie, kryesisht në krime seksuale, krime kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, si edhe në krime kundër moralit dhe dinjitetit.
Krimet kibernetike kanë shënuar një rritje prej 45% gjatë 2024-s, ndjekur nga vepra e përndjekjes me 18.4% dhe vrasjet me dashje me 17.5%.

Autorët në më shumë se 90% e rasteve janë meshkuj. Sipas grupmoshës, 36% e autorëve i përkasin moshës 30-44 vjeç, 24.8% të grupmoshës 18-29 vjeç dhe 22.8% i përkasin grupmoshës 45-59 vjeç.
Numri i të pandehurve për veprat penale: kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror, dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit, pastrim i produkteve të veprës penale, vrasje me dashje, krime me dashje kundër shëndetit, vrasje të mbetura në tentativë, vjedhje dhe trafikimi i armëve është ulur, krahasuar me vitin e kaluar, ndërsa për pjesën tjetër të veprave ka pësuar rritje.
“Në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale, grupmosha 21-29 vjeç ka numrin më të lartë të të burgosurve. Personat nën 20 vjeç dhe mbi 60 vjeç kanë numrin më të ulët të të burgosurve” vlerëson INSTAT.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.